Dje, në margjinat e Panairit të Tretë të Librit Akademik dhe Shkencor Mbarëkombëtar, që sipas radhës, këtë vit u organizua në Tiranë, u zhvillua ceremonia zyrtare e promovimit të dy botimeve të fundit të librave me dhe rreth materialeve arkivore, përkatësisht, “Manual tekniko – praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri” dhe Revistën “Arkivat Shqiptare”, që është revista e përbashkët e të dy institucioneve më të larta arkivore në hapësirën mbarë kombëtare.
Sesionin e promovimit të të dy botimeve të fundit, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, e drejtoi Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, i cili, përgëzoi organizatorët e panairit të tretë me radhë, nga të dy akademitë dhe edhe njëherë, përveç tjerash, nënvizoi historikun produktiv të punës që është bërë nga dy institucionet arkivore rezultat i së cilës është edhe botimi i Revistës vjetore të përbashkët që botohet tash e disa vite. Puna në drejtim të unifikimit të shërbimit unik arkivor, vijon të jetë agjenda e radhës, ndërsa projektet e iniciativat përbashkëta tek puna hulumtuese dhe tek botimet, janë një mundësi për të bërë shumë më tepër se sa kaq, pavarësisht rezultateve.
Paraqitjen e prezantimit të përgjithshëm mbi Librin “Manual tekniko-praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri”, në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, e bëri, z. Endrit Musaj, ndërsa nga ana e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës rreth Revistës “Arkivat Shqiptare”, prezantoi, znj. Habibe Qovanaj.