Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Historia

Më 20 mars 1951, këtu e 73 vjet më parë, Arkivi i Kosovës, nisi funksionimin e vet si entitet organizativ autonom/institucion qendror i Kosovës së atëhershme, derisa, tre (3) vite më parë, më 1948, veçse ishte themeluar Qendra Arkivore në kuadër të Drejtoratit Krahinor për Arsim dhe Kulturë.

Arkivi vazhdoi rrugëtimin e tij duke avancuar hap pas hapi proceset e mbledhjes së pasurisë arkivore, zhvillimin e metodave të përpunimit dhe rregullimit, zhvillimin në numër dhe në ekspertizë të strukturës profesionale dhe administrative. Ky zhvillim u hovëzua ndjeshëm pas vitit 1968, kur fuqizohet pozita politike e juridike e Kosovës së atëhershme në kuadër të njësive federale të Ish – Jugosllavisë.

Zhvillimi infrastrukturor i kushteve të punës së Arkivit, shënon kulmin me projektimin dhe ndërtimin e ndërtesës qendrore të Arkivit, ndërmjet viteve 1972 dhe 1976. Në këtë ndërtesë, sot ushtron veprimtarinë Agjencia e Arkivave, një ndërtesë mjaft mirë të konceptuar dhe e zhvilluar për të krijuar kushtet optimale të punës së Arkivit.

Në periudhën e vendosjes së masave të dhunshme të pushtetit diskriminues të Serbisë, kemi periudhen fillimit të degradimit organizativ dhe profesional të Arkivit, me largimin nga puna të një pjese të profesionistëve shqiptar dhe me ndërprerjen e veprimtarisë arkivore gjithëpërfshirëse jo diskriminuese, sikurse përcaktojnë konventet dhe instrumentet ndërkombëtare që rregullojnë të drejtat dhe obligimet e shteteve demokratike të botës, përkitazi me parimet e organizimit të veprimtarisë arkivore.

Dëmtimi/fragmentimi i fondeve arkivore, në këtë periudhë shënon kulmin e vet me marrjen përkatësisht grabitjen nga Serbia, të fondit të reformës agrare (e zbatuar veçanërisht pas ripushtimit të Kosovës në vitin 1918) me qëllim të kolonizimit të territorit të Kosovës përkatësisht përpjekjeve të organizuara, për të ndryshuar strukturën demografike të Kosovës. Ky fond tashmë vetëm pjesërisht gjendet në Arkivin Qendor të ASHAK, ngase pjesa më e madhe, është tërhequr nga Arkivi për në Beograd, në vitin 1991, duke mos u kthyer më.

Sot, veprimtaria arkivore në Kosovë, drejtohet dhe kontrollohet nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) e cila është suksesore e të gjitha formave të organizimit të Arkivit nga viti 1951 dhe e cila, po bën përpjekjet maksimale për të transformuar dhe modernizuar, në përputhje me trendet e kohës, veprimtarinë arkivore në Republikën e Kosovës. Agjencia ka një staf profesional që ka trashëguar mjaftë mirë dijet profesionale të grumbulluara për një kohë të gjatë të një prej institucioneve më jetëgjata në Kosovë, trashëgimi kjo që duhet ruajtuar, zhvilluar e transmetuar në të ardhmen, në përputhje me rrethanat e reja në kushtet e përfshirjes së madhe të teknologjisë në veprimtarinë e përditshme arkivore.

Sfidë mbetet niveli jo i kënaqshëm i investimeve të realizuara deri më tani në gjithë rrjetin arkivor, që flet për një nevojë kritike të rritjes së investimeve në listën e prioriteteve të Qeverisë për arkivat, por edhe rritjen e bashkëpunimit serioz me komunat dhe institucionet tjera me ASHAK, në trajtimin e materialit arkivor të padorëzuar dhe të parregulluar etj.

Pas luftës së vitit 1998 dhe 1999, Arkivi i Kosovës ka funksionuar si institucion në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por duke marrë për bazë shembuj pozitiv nga vendet e tjera përkitazi me nevojën për rritje të përkrahjes dhe të mbikëqyrjes, me Ligjin Nr. 02/L-80, datë 13 korrik 2006, administrimi dhe mbikëqyrja e Arkivit, transferohet në kuadër të Qeverisë së Kosovës, pra Arkivi tanimë organizohen në Agjenci Shtetërore të Arkivave të Kosovës në kuadër të Zyrës së Kryeministrit deri më 31.12.2016, kur me Vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të rishikimit funksional të organizimit të agjencive të Zyrës së Kryeministrit, përsëri ASHAK, u rikthye si Agjenci në kuadër të sistemit ministror të Ministrisë përkatëse për kulturë.

Në vitin 2022 miratohet dhe hyn në fuqi Ligji nr.08/L-111 për Arkiva, i cili përcakton rregullat themelore për organizimin, administrimin, funksionimin e shërbimit arkivor në Republikën e Kosovës si dhe kompetencat e organeve për krijimin, pranimin, ruajtjen, mbrojtjen, sistemimin, përpunimin dhe shfrytëzimin e materialit arkivor, ligj ky i harmonizuar me legjislacionin tjetër horizontal dhe që siguron kushte dhe rrethana të zbatimit efektiv të kornizës rregullatore për administrimin e suksesshëm të materialit arkivor në Republikën e Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.