Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë ka filluar implementimin e projektit për largimin e deponive ilegale në Komunën e Drenasit.
Realizimi i këtij projekti ka filluar me largimin e deponisë ilegale në lagjen e Feronikelit, duke vazhduar në largimin e deponisë së fshatit Çikatovë të vjetër.
Këto aktivitete do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në hapësirat publike, duke përfshirë gjithë territorin e Drenasit.
Problemi ka mbetur në disa pika ku qytetarët vazhdojnë të krijojnë deponi ilegale edhe pse ato pika pastrohen vazhdimisht nga DSHPE.
Drejtoresha e DSHPE-së, Lumnije Gjoshi – Krapi, ka zhvilluar takime me përfaqësues të inspektoratit dhe Stacionit Policor në Drenas nga ku janë koordinuar rreth implementimit për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për gjoba mandatore me qëllim të ruajtjes së ambientit në ato zona ku tanimë është bërë largimi i deponive.
Kujdesi ndaj mjedisit që na rrethon është mbrojtja e shëndetit dhe vendit ku jetojmë.