Drenasi shënon 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me nderim në vendvarreza, seancë solemne dhe aktivitete të tjera kulturore

 

Për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me kabinetin e tij, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit të Komunës, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në varrezat e dëshmorëve në Komunën e Drenasit.

 

Në orët e hershme të mëngjesit, kryetari Lladrovci me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta për nderim në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Marinë, në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Ri dhe i Vjetër dhe në Nekoc si dhe pranë shtatores së doktorit Hafir Shala.

 

Pas seancës Solemne të Kuvendit, në Sallën e Kulturës është mbajtur program kulturo e artistik.

 

Gjithashtu është mbajtur edhe Seanca Solemne e Kuvendit të Komunës e udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Milaim Hajdari, i cili tha se për dallim nga festat tjera, edhe ky 16 vjetor vendin e gjënë pa themeluesit e shtet ndërtimit, të cilët padrejtësisht po mbahen në dhomat e specializuara të Hagës.

 

Ndërsa, para të pranishmëve ne këtë Seancë Solemne, kryetari Lladrovci mbajti këtë fjalë rasti;

 

I nderuari Kryesues i Kuvendit të Drenasit, z. Hajdari,

I nderuari nënkryetar Shala,

Të nderuara asambliste dhe asamblistë,

Familje të dëshmorëve dhe veteran të UÇK-së,

Zonja e zotërinj,

Qytetarë të nderuar,

Gëzuar 16 vjetori i shpalljes së Kosovës shtet i pavarur e demokratik!

Kjo pavarësi, e kishte djepin këtu, në Drenicën e heroizmave epik, në Drenicën e heroizmave legjendar që kombit i kanë bërë nder, përgjatë një shekulli qëndresë.

Me Ahmet Delinë, me Azemin dhe Shotë Galicën, me Shaban Polluzhën, Rifat Berishën, Tahir Mehën e deri te Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jasharin!

Këtu, nga komuna jonë e vendosur në rrugën Fehmi e Xhevë Lladrovci, i shprehim nderim, heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë tonë.

Në këtë ditë të shënimit të 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shprehim nderimin tonë të thellë për çdo kontribuues, veprimtar e çlirimtar, respekt për çdo nënë, bashkëshorte e motër, për çdo familjar që e mbështeti rrugën e lirisë, përgjatë një shekulli, me mundësi e guxim.

Në këtë ditë të shënuar, kujtojmë me nderim dhe urojmë që në festën e ardhshme të shënimit të pavarësisë, në mesin tonë të jenë Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët që padrejtësisht janë në Hagë.

Nderimi ynë për heronjtë e luftës dhe paqes, është i përjetshëm, sepse, populli ynë i robëruar, me përpjekjet e përbashkëta shekullore, me ndihmën e aleatëve, në krye me Amerikën, bëri mrekullinë. Ne sot, së bashku, me fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, brez pas brezi, do ta çmojmë e ruajmë lirinë, ruajmë mrekullinë e arritur me mund e me gjak.

Populli ynë, me organizimin me bazë vullnetare, me besimin e plotë në vlerën e lirisë, u rreshtua krahas idealeve të botës demokratike për liri, filluam dhe fituam luftën, duke marrë përkrahjen e NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Sot, kur populli shqiptar është në nivelin më të lartë të organizimit politik, me tre kryeministra shqiptarë, kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e NATO-s, ndërsa Forca jonë e Sigurisë, e gatshme t’i bashkohet NATO-s, siguria jonë, kurrë nuk ka qenë më e madhe.

Zonja e zotërinj,

Dua ta them qartë, raporti i mirë, i pandashëm e pashkëputshëm, me Amerikën, është interes i çdo shqiptari dhe qytetari të Kosovës është interes nacional.

Në këtë ditë feste, edhe nëpërmjet kësaj Seance solemne, të gjithë bashkë, urojmë që sa më parë të hiqet çdo dilemë se raportet e Kosovës me Amerikën, janë në themel të lirisë e pavarësisë tonë, ashtu sikur gjaku i mijëra qytetarëve tanë, përgjatë një shekulli përball okupatorit.

 

Të fitosh besimin e superfuqisë globale dhe gardianit të lirisë e demokracisë globale, nuk ishte rrugë e lehtë. Ajo rrugë, ishte e ndërtuar nga Presidenti Wilson, Fan Noli e deri te Rambujeja, zonja Albright, Presidenti Klinton, Presidenti Bush.

Besoj se ju ka rënë të dëgjoni apo lexoni kur në vitin 1999 Presidenti Klinton i thotë presidentit Jelcin se UÇK-ja e mban fjalën dhe ka besim të plotë te UÇK-ja.

Populli ynë, përkundër situatës, i ka dalë zot vendit. Garancia dhe zotimi që fitoi në Rambuje ish presidenti Thaçi nga Zonja e madhe Albright, për pavarësi, solli 17 shkurtin, para 16 vitesh.

Të dashur të pranishëm dhe të gjithë ata që e përcjellin këtë seancë solemne,

Kjo datë, e 17 shkurtit, i bashkohet datave më të shkëlqyera të kombit tonë, datave më meritore të një populli që dha gjithçka për liri, bashkë me aleatët tanë, të cilët e vlerësuan qëndresën tonë, me qindra shekuj burgje të rinisë tonë, fituam besimin e aleatëve tanë që na panë se si nëna, babai apo familjari i ushtarit të UÇK-së, nuk luteshin të ndalet lufta por luteshin të fitohet liria.

Fituam besimin e aleatëve në terren sepse zhvilluam luftë të drejtë dhe në pajtime me normat ndërkombëtare, na përkrahën me bombardime kundër caqeve ushtarake serbe. Na përkrahën sepse ishim të gatshëm të gjithë të vdesim për ta arritur lirinë.

Qershori i vitit 1999 solli fitoren tonë dhe dështimin e projektit të Serbisë për tokën e djegur. Qershori solli kthimin e shpejtë e të paparë deri atëherë të qytetarëve tanë, ngjau kthimi i popullatës në vatrat e veta, tashmë e gatshme për shtetformim e shtetndërtim, duke u kurorëzuar më 17 shkurt 2008 Pavarësia e Kosovës, dhe shpërblyer sakrifica shekullore, me pranimin e mbi 115 shteteve të kësaj pavarësie.

Sot, Kosova, është vend me demokraci të qëndrueshme, me perspektivë, me polici, ushtri e gjyqësinë më të mirë në rajon.

Mund të bëhet më shumë, më mirë, por, në ditë feste, duam të përcjellim mesazhin te çdo qytetar se fati ynë në rrugën euro-atlantike, është rrugë e pandalshme, rrugë e vetme jona, pa alternativë.

Premtimet e pushtetit lokal, sot janë zbatim i tërë pritshmërive të qytetarëve tanë, të pritshmërive për jetë më të mirë, me mirëqenie, zbatim të ligjit, barazi para ligjit, gjasa e mundësi të barabarta.

Të nderuar qytetarë,

Ne, edhe më tej qëndrojmë në krye të komunave me performancën më të mirë, me 77.08 pikë, aq sa i kishte edhe Rahoveci. Nuk morëm buxhet sepse, nuk është realizuar neni 46 i Kontratës kolektive që parasheh mbulimin me buxhet nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave. Këtë detyrim të tyre, ata nuk e kanë realizuar dhe ne i kemi paditur në gjyq. Mësimdhënësit tanë i kanë realizuar këto kontrata përmes gjyqit. Kjo bëri që raporti i Auditimit të jepet i kualifikuar pa fajin dhe përgjegjësinë tonë.

Deri tash, si komunë kampion, kemi marrë ndër vite, mbi 3 milion e shtatëqind mijë euro. Edhe për 2023, presim të jemi në krye të komunave për performancën në garën për grant. Kjo është punë e jona e shkëlqyer e cila buron nga dita historike e pavarësisë tonë, të punojmë me ligj, transparencë e llogaridhënie për qytetarët tanë.

Edhe sot, si çdo ditë tjetër, së bashku, me përkrahjen Tuaj, me vendime dhe përkushtim e çojmë tutje vizionin e heronjve tanë, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë. Ne nuk kemi qëllim tjetër, përpos ta bëjmë komunën tonë shembull të punës, zbatimit të ligjit dhe komunë të dëshirueshme për të jetuar, për të punuar dhe për të investuar.

Qytetarë të dashur,

Urojmë që sa më shpejt, të kthehen pranë familjeve të veta heronjtë e luftës dhe paqes që padrejtësisht janë në Hagë, të kthehen pranë familjeve të veta dhe të kontribuojnë më tej në përparimin e vendit, për Kosovën, për kombin.

Themeluesit e shtetit, janë duke bërë betejën e fundit për Kosovën dhe ne nuk guxojmë t’i harrojmë. Shteti ynë, presim të bëj më të mirën e mundshme për ta, sepse, e meritojnë dhe fundja e kemi detyrim.

Urime, gëzuar dita e Pavarësisë së Kosovës!

Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

 

wpChatIcon
wpChatIcon
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.