Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Departamenti i Tatimit në Pronë, njofton tatimpaguesit se më datë 09.01.2023 janë lëshuar faturat e tatimit në pronë për vitin tatimor 2024 të cilat janë të qasshme në platformën e-Kosova https://ekosova.rks-gov.net/ dhe të njëjtat do t’ju shpërndahen edhe në kopje fizike nga komunat. Tatimpaguesit të cilët nuk pranojnë faturë nga komuna, mund të drejtohen në komunën përkatëse dhe të kërkojnë një kopje fizike të faturës.
Me rastin e lëshimit të faturës së tatimit në pronë ju njoftojmë gjithashtu se është zbatuar falja e tatimit në pronë për vitin tatimor 2023 për ato komuna të cilat kanë vendosur për falje, në lartësinë e shumës së falur.
Risitë në këtë faturë të tatimit në pronë janë:
- Lirimi tatimor në lartësinë e vlerës deri në 30,000 Euro të para të pronës së vlerësuar që shërben për vendbanim parësor për pronarin/poseduesin apo për secilin bashkëpronar/bashkëposedues të shtëpisë apo apartamentit, të cilët kanë numër personal në regjistrat e tatimit në pronë;
- Lirimi tatimor në lartësinë e vlerës deri në 50,000 Euro të para të pronës së vlerësuar për tokën bujqësore për pronarin/poseduesin apo për secilin bashkëpronar/bashkëposedues të tokës bujqësore, të cilët kanë numër personal në regjistrat e tatimit në pronë;
- Koeficientët e rinj të gjendjeve së objekteve;
- Normat tatimore sipas legjislacionit të ri tatimor;
- Nivelet e vlerave (Çmimi për m2) sipas vlerësimit të përgjithshëm të pronave komerciale; dhe
- Detyrimi tatimor në një këst të vetëm për tu paguar më së largu në datën 30 shtator të vitit 2024, për personat jorezidentë dhe pa numër personal valid.