Nicu Fota, drejtor si dhe Qamile Ramadani, zv. drejtore e projektit ‘’Accessible Quality Healthcare’’, që financohet nga “Swiss Agency for Development and Cooperation”, e konfirmuan këtë gjatë vizitës së tyre në Komunën e Drenasit.
Nënkryetari i Komunës së Drenasit Nazmi Hasi i falënderoi drejtuesit e projektit për përkrahjen dhe realizimin e këtij projekti në Komunën e Drenasit gjatë katër viteve të kaluara, si dhe për vazhdimin e projektit edhe për katër vitet e ardhshme për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Komunën e Drenasit, me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në QKMF dhe QMF.
Në takim u theksua se ky projekt ka për qëllim informimin e pacientëve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, ngritjen e kapaciteteve në menaxhimin cilësor të institucioneve shëndetësore, përkrahjen me pajisje bazike dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në kuadër të projektit për mbështetje në sektorin e Shëndetësisë në disa nga Komunat e Kosovës.
Ky Projekt ka përgatitur edhe një publikim të titulluar “Bazat e menaxhimit shëndetësor”. Publikimi i cili përmban gjashtë module fokusohet në planifikimin, menaxhimin dhe monitorimin e shërbimeve në kujdesin primar shëndetësor.
Përfaqësuesit e këtij projekti falënderuan zyrtarët komunalë për bashkëpunimin e ofruar dhe ndanë mirënjohje për kryetarin e Komunës, Ramiz Lladrovci, “për bashkëpunimin e shkëlqyer me Projektin AQH gjatë fazës së parë 2016-2019 në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë”.
Kujtojmë se përmirësimi i shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor mbetet njeri ndër objektivat kryesorë të qeverisjes komunale të Drenasit.