Shënohet ‘Dita Botërore e Hipertensionit’
Dita e sotme, 17 maji shënon pikërisht ‘Ditën Botërore të Hipertensionit’, dhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, të komunës së Drenasit, në koordinim me QKMF në Drenas ka mbajtur aktivitet me qytetarë në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, ku krahas kontrolleve të vazhdueshme të tensionit të gjakut, po ashtu bënë thirrje për kujdes të shtuar në parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të sëmundjeve që mund të vijnë nga tensioni i lartë në gjak.
Kujtojmë se tensioni i lartë i gjakut është një nga faktorët kryesor të rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Sipas ‘Organizatës Botërore të Shëndetësisë’, më shumë se një miliard njerëz, në mbarë botën, jetojnë me tension të lartë të gjakut.
Organizata të ndryshme të shëndetësisë adresojnë këtë problem të madh, që prekë më shumë se 30% të popullatës së moshës madhore në gjithë botën dhe shumë prej tyre nuk janë në dijeni që vuajnë nga ky problem.
Andaj, përveç kontrolleve të rregullta mjekësore, po ashtu inkurajohet dhe këshillohet që njerëzit të kenë një dietë më të shëndetshme ushqimore, duke përfshirë vitamina dhe minerale si dhe duke përfshirë aktivitetin fizik në rutinën e tyre ditore.



