Është promovuar libri “Zejtaria e Gjilanit (Gjysma e parë e shekullit XX)” i autorëve Aliriza Selmani dhe Faik Neziri, në Bibliotekën “Fan S. Noli“ në Gjilan.

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, ka folur në emër të kryetarit Alban Hyseni, duke thënë se është nder dhe kënaqësi e veçantë të marrë pjesë në përurimin e këtij libri të çmuar.

“Ky botim është shumë më tepër sa një libër, është një trashëgimi e pasur që ruan dhe përjetëson zanatin, kulturën dhe traditat e popullit tonë”, tha Morina Bunjaku.

Nënkryetarja e komunës, shtoi se Gjilani ka një histori të thellë dhe të larmishme të zejeve, që nga rrobaqepësit, këpucarët, bakërxhinjtë, e deri te artizanët e drurit dhe punimet me dorë. Këto zeje nuk kanë qenë thjesht burim jetese për të parët tanë, por kanë qenë një shprehje e shpirtit të këtij qyteti. Zejtarët tanë ishin dhe mbeten ambasadorë të vlerave të komunitetit tonë, duke e përçuar frymën e punës së ndershme dhe përkushtimin brez pas brezi.

“Ju përgëzoj për punën e palodhur dhe përkushtimin tuaj që bëtë për realizimin e këtij botimi të vlefshëm. Ky libër është dëshmi e përpjekjeve tuaja për të mos e lënë të harrohet tradita e vyer e zanateve të qytetit tonë. Përmes rreshtave të tij, na keni sjellë më afër trashëgiminë kulturore, duke na dhënë mundësinë të shohim sa me krenari dhe dashuri ka punuar gjenerata pas gjenerate për ta zhvilluar Gjilanin”, tha Morina Bunjaku.

Më tej nënkryetarja e Gjilanit shtoi se ky libër është një dhuratë jo vetëm për të gjithë ne, por për çdo gjeneratë që do të vijë. Ai do të shërbejë si një frymëzim për të rinjtë që të njohin rrënjët e tyre dhe, ndoshta, edhe për të ringjallur dashurinë për zejet e harruara.

Ajo falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin e këtij botimi, autorët, mbështetësit, dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë përurim.

“Në emër të Komunës së Gjilanit, shpreh mirënjohjen e sinqertë dhe

përkushtimin tonë për të mbështetur projekte të tilla që ruajnë dhe promovojnë kulturën tonë. Urime edhe një herë dhe suksese në përpjekjet tuaja të mëtejshme”, tha nënkryetarja Morina Bunjaku.

Redaktori i librit, Behlul Brestovci, theksoi se ky libër është rezultat i punës trevjeçare të autorëve dhe që është me një tekst të pasur dhe që ka 390 faqe.

Ai botimin e këtij libri e cilësoi si të veçantë dhe sipas tij zejtarët kanë luajtur një rol me rëndësi e kjo monografi është një përpjekje për të nxjerrë në dritë të kaluarën tonë.

“Autorët volën dokumente, bibliografi, folën me njerëz të moshave të ndryshme dhe në libër flitet për zejtarët, Çarshinë e Gjilanit, llojet e zejeve, mënyrën e marrjes së lejes, zejet e veçanta, prodhimet zejtare, panairet, familjet e shpërngulura në Turqi, pasojat e pasluftës dhe aspekte të tjera”, tha Brestovci.

Redaktori i librit, tha se ky botim do të shërbejë shumë për hulumtime të mëtejme dhe krijimin e librave të rinj.

Edhe Rahim Azemi, recensent tha se libri që lexuesit do ta kenë në dorë fletë për veprimtarinë e zejtarëve e për të cilin autorët kanë hulumtuar dokumente të bollshme.

Emin Selimi, historian, tha se autorët bënë hulumtime të thelluara, sjellin informacione për hapësirat e zejeve dhe dëshmuan se zejtaria është edhe kulturë, ngase atë e ka krijuar mendja dhe dora e popullit.

Autori Faik Neziri, tha se kanë bërë një punë hulumtuese trevjeçare dhe se ishin të përkushtuar për hulumtim sa më objektiv.

Sipas tij gjithçka është e bazuar dhe e faktuar, kurse plotësimi i kësaj monografie mbetet i hapur nga gjeneratat e ardhshme

Autori Aliriza Selmani, tha se çdo zeje i ka karakteristikat e veta dhe se në hulumtimin e tyre nëpër dokumente ka dokumente të bollshme, por edhe gjëra që shumë përsëriten.

Ai shtoi se Gjilani u zhvillua shumë shpejt falë edhe zejtarëve dhe pozitës së mirë gjeografike.

wpChatIcon
wpChatIcon
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.