Kryetari i komunës, z. Haki Rugova, me bashkëpunëtor dhe me U.D. së Komandantit të Stacionit Policor në Istog, togerin Hasan Çeku, kanë vizituar familjet shqiptare dhe ato serbe në fshatin Zallç për të biseduar rreth situatës së sigurisë e po ashtu edhe për të parë nga afër procesin e ndërtimit të shtëpive për të kthyerit serb.
Kryetari Rugova ka kërkuar nga kryefamiljaret e komunitetit pritës që ti kenë nën kontroll fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë incidente çfarë kanë ndodhur para disa ditësh duke ua bërë me dije atyre se sjellje të tilla nuk janë as në interesin e tyre e aq më pak në interesin e sigurisë së përgjithshme për qytetarët e fshatit dhe më gjerë.
Nga ana tjetër, në bisedë me familjet serbe, kryetari Rugova u interesua rreth fazës së ndërtimit të shtëpive si dhe u interesua veçanërisht sa i përket çështjes së sigurisë. Ai u tha atyre se në vazhdën e shumë takimeve që kishte pasur edhe më herët me këto familje ai edhe sot ka biseduar me kryefamiljarët dhe se ka marrë garancione që nuk do të përsëriten incidentet dhe provokimet nga ana e familjeve shqiptare.
Serbët e kthyer thonë se janë të gatshëm të ulen në një tavolinë dhe të ja shtrijnë dorën e pajtimit fqinjëve të tyre, për çka kryetari Rugova tha se edhe ne jemi shumë të interesuar që procesi i pajtimit të ndodhë, por siç tha ai, jo të gjithë pjesëtarët e këtyre familjeve për momentin janë të gatshëm për një gjë të tillë.