Ministri në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lutfi Haziri ka përuruar restaurimin e urës në Zallq dhe ka vizituar Kullën e Qerim Rugovës në Llukafc të Begut dhe Xhaminë në fshatin Vrellë, objekte këto të restauruara me fonde të kësaj Ministrie e të cilat janë në kuadër të monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Fillimisht, Ministri Haziri u prit nga Kryetari i Komunës së Istogut z.Haki Rugova i cili e informoi Ministrin rreth gjendjes aktuale në sferën e kulturës, rinisë dhe sportit.

”Është vendosur një bashkëpunim shumë i mirë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, veçanërisht kur flasim për projektet të cilat kanë përfunduar ose janë në përfundim e sipër. Ne shpresojmë edhe në investime tjera të Qeverisë së Kosovës, respektivisht të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përmirësimin e jetës kulturore, ruajtjes së objekteve të trashëgimisë kulturore; presim që vitin e ardhshëm të përfundoj edhe palestra sportive, një objekt te jetë i nevojshëm për të rinjtë e komunës tonë”, është prononcuar Rugova në pyetjen e gazetarëve. 

“Do te vazhdojmë me investime konform agjendës së komunës dhe konform buxhetit që Ministria ka në dispozicion. Njëri nga projektet më kapitale, është ndërtimi i Palestrës sportive. Unë kam garantuar se është stabilizuar, në kuptimin buxhetor, investimi në këtë objekt sportiv dhe ne do të vazhdojmë me këtë punë.
Komuna e Istogut është një thesar arkeologjik i cili duhet hulumtuar dhe zbuluar dhe në këtë duhet punuar” ka thënë Ministri Haziri.
