Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i kryesuar nga ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi ka vizituar Stacionit Policor në Istog.
Ishte kjo një vizitë rutinore e Ministrit për tu njoftuar për së afërmi rreth aktiviteteve por edhe për sfidat dhe rezultatet e stacionit policor në Istog.
“ Istogu është komunë e qetë dhe këtu janë arritur rezultate. Mbajtja e zgjedhjeve në balotazh dhe incidenti i ndodhur ndër-partiak, është sukses i intervenimit të policisë për të parandaluar incidente me përmasa më të mëdha, dhe për këtë, unë përgëzoj policinë”, ka deklaruar para mediave Ministri Rexhepi.
Në pyetjen e gazetarit të Kohës Ditore rreth vizitës së të ashtuquajturit Ministër në Ministrinë e Republikës së Serbisë për Kosovë, Goran Bogdanoviq, se deri kur vizita të tilla do të tolerohen nga qeveria e Kosovës, Ministri Rexhepi tha se “vizita e tij në Osojan dhe Zallq është pritur shumë ftohët edhe nga vet qytetarët serb, për çka unë jam i gëzuar”.
Ndërsa, rreth deklaratës së dhënë ditë më parë për vendosjen e Njësive Speciale në veri të Mitrovicës, Ministri akuzoj mediat se kanë shtrembëruar deklaratën e tij, “unë kam thënë pak më ndryshe”, tha ai, ”njësitë speciale do të vendosen në veri nëse kjo gjë kërkohet nga policia e jonë që vepron atje dhe policia e Eulex-it”.
Komandanti i Stacionit Policor në Istog, togeri Avni Gjevukaj, ka falënderuar Ministrin për vizitën si dhe ka informuar atë për gjendjen e sigurisë si dhe për sfidat dhe sukseset e këtij stacioni policor.
Ministri Rexhepi ka vizituar edhe Zyrën e Regjistrimit Civil në Istog.