Ditë më parë, në kopenë e blegtorit Malush Hysenaj nga Istogu i Poshtëm, Komuna e Istogut, nga bjeshkët e afërta kishin rënë ujqit duke i shkaktuar dëm këtij blegtori hiq më pak se 3000 Euro. Ujqit kishin prerë në fyt 28 krerë dele. Vet z. Hysenaj habitet se dicka e tillë nuk mbahet në mend të ketë ndodhur në rrafsh.
z.Malush Hysenaj, i ka parashtruar kërkesë Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi për të dalë në vendin e ngjarjes në mënyrë që të konstatohen dëmet e shkaktuara dhe mundësisht ai të ndihmohet nga ana e komunës.
Drejtorati gjegjës menjëherë pas pranimit të kërkesës ka formuar komisionin profesional i cili ka dalë në vend të ngjarjes dhe ka konstatuar gjendjen faktike duke vlerësuar dëmet e shkaktuara nga ujqit. Komisioni ka hartuar procesverbal mbi gjendjen e gjetur dhe më këtë ka njoftuar Kryetarin. Nga procesverbali shihet se ujqit kanë sulmuar kopenë e deleve të Malush Hysenaj, në oborrin e shtëpisë së tij më, 07.07.2010 dhe më atë rast ka mbytur 28 dele dhe sipas vlerësimit të komisionit dëmi i shkaktuar llogaritët në lartësi prej 3.120 € .
Kryetari i Komunës, bazuar në nenet 77, 84. dhe 87 të Ligjit për procedurën administrative (Ligji nr. 02/L-28 i Kosovës) dhe në bazë të nenit 69 pika 9 të Statutit të Komunës, shqyrtoi kërkesën e blegtorit Malush Hysenaj, drejtuar Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, dhe me qëllim që këtë blegtor sa do pak ta ndihmojë dhe ti zbus dëmin e shkaktuar ka ndarë 1.000 € ndihmë financiare.
Ditë më parë, edhe Ministria e Bujqësisë po ashtu ka ndihmuar këtë blegtor me 1000 Euro.