Kuvendi Komunal aprovon raportin Financiar 2009
Edhe pse të vonuar në kohë, këshilltarët e Kuvendit Komunal të Istogut, me shumicë votash kanë aprovuar Raportin Financiar për vitin 2009. Edhe vetë Drejtori i Drejtorisë për Buxhet, Ekonomi dhe Zhvillim, Qazim Loxha, ka pranuar se afati ligjor për ti prezantuar kuvendit pasqyrat financiare 2009, ishte 31 Marsi, por duke patur parasysh rrethanat me të cilat u përball komuna e Istogut, vdekja e Kryetarit Fadil Ferati si dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, kushtëzuan rrjedhën normale edhe të vet punës së kuvendit.
Përfaqësuesit e grupeve parlamentare të LDD-së, PDK-së por edhe anëtarë tjerë të kuvendit, kërkuan sqarime nga zyrtarët kompetent rreth mos shfrytëzimit të buxhetit të planifikuar për vitin 2009, suficiti prej 226.000 Euro nga grantet qeveritare, shpenzimi i subvencioneve dhe detaje tjera për të cilat Zyrtari kryesor i Financave Osman Sadikaj ka ofruar sqarime në të gjitha shqetësimet e asamblistëve.
Me shumicë votash, kuvendi miratoj Raportin Financiar 2009.
Kryetari i Komunës Haki Rugova, ofroj sqarime rreth propozim-vendimit për bartjen e së drejtës së pronësisë komunale në sipërfaqe prej 1.45 ha kompanisë “Radusha” e cila tashmë është futur në procesin e privatizimit. “Është në interesin e qytetarëve dhe të vetë punëtorëve të “Radushës” që ne si komunë ta ndihmojmë privatizimin e kësaj ndërmarrje e cila aktualisht është e pasivizuar që ditë më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit i kishte paraqitur kërkesë komunës sonë”, ka thënë kryetari Rugova.
Kuvendi ka aprovuar edhe emrat e tre anëtarëve të komisionit të cilët do të evidentojnë asetet e ndërmarrjes “Ambienti” e cila për momentin operon në kuadër të regjionit të Pejës. Që të dyja këto propozim vendime njëzëri u aprovuan nga këshilltaret e kuvendit komunal.