Edhe pse ishte paralajmëruar se në ceremoninë e sotme për hapjen e QKB-së, i pranishëm do të jetë Ministri në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, z. Lutfi Zharku, për shkak të agjendës së ngjeshur, ai nuk erdhi në Istog por nga Ministria në fjalë në përurimin e QKB-së ishte Këshilltari i Ministrit z. Nehat Ramadani, Drejtori i ARBK-së, z. Mehdi Pllashniku dhe zyrtarë të tjerë të kësaj Ministrie.
z. Qazim Loxha, Drejtor në Drejtorinë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim ka përshëndetur mysafirët nga Prishtina për të vazhduar më tej:

“Siç e dini, ne, që një vit e gjysmë kemi filluar një pilot projekt i ndërmarrë nga ana e qeverisë për decentralizimin e kompetencave nga niveli qendror në atë lokal dhe kështu, komuna e Istogut, së bashku edhe me shtatë komuna tjera në Kosovë, janë përzgjedhur ndër komunat për implementimin e këtij pilot projekti. Nga dita e sotme, të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për çfarëdo shërbimi që lidhet me biznes, do ta kenë mundësinë që këto shërbime ti kryejnë në komunë, pa patur nevojë të shkojnë në Prishtinë”, ka thënë në fjalën e vet hyrëse z. Loxha.
Drejtori i ARBK-së, z. Mehdi Pllashniku duke folur për rëndësinë e këtij projekti në mes tjerash tha:
“Kam kënaqësinë që sot po hapet Qendra e pestë Komunale e Biznesit në komunën tuaj. Hapja e kësaj Qendre, ka një rëndësi të veçantë për komunën tuaj, sepse tani e tutje, qytetarët nuk kanë nevojë të udhëtojnë për në Prishtinë për të regjistruar biznese, atë tani do të mund ta bëni këtu në komunë. Qëllimi i kësaj QKB-je, sa për fillim, është të bëjë vetëm regjistrimin, mirëpo ndërkohë, do të kryhen të gjitha shërbimet e nevojshme në mënyrë që një biznes të afarojë”, është shprehur z. Pllashniku.
Në fund, qytetari i parë që mori licencën e biznesit nga kjo qendër e po sa hapur, ishte
z.Vëllaznim Hasanaj, i cili shprehu kënaqësinë që tani shërbime të tilla mund të kryhen në komunë.