Në ambientet e sallës së Kuvendit Komunal në Istog, ky trup legjislativ sot ka mbajtur mbledhje të rregullt me ç’rast kanë marrë pjesë edhe qytetarë për të parashtruar kërkesa, për të dhënë propozime dhe paraqitur hallet e tyre para aprovimit të Qarkores Buxhetore 2011-2013.
Qytetarët e anëve të ndryshme të komunës kishin propozime nga më të ndryshmet, por gjithsesi dominonin kërkesat për përmirësim të infrastrukturës rrugore, furnizim me uji të pijshëm, trafo, kanalizim dhe kërkesa tjera të cilat do të shqyrtohen dhe për ato propozime që konsiderohen si të arsyeshme do të jenë pjesë e kësaj Qarkoreje. “Në këtë mënyrë qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë po bëhen çdo ditë e më tepër faktor i rëndësishëm në vendimmarrje” ka thënë kryesuesi i Kuvendit komunal, z. Demë Qeta.
U dëgjuan kritika se ende duhet bërë më shumë në sferën e sensibilizimit të qytetarëve në mënyrë që informatat për dëgjime të tilla të mbërrijnë në secilën shtëpi dhe kështu numri i qytetarëve të rritet edhe më tepër.