Ashtu siç parashihet me Qarkoren Buxhetore 20011/01, lëshuar nga Ministria për Ekonomi dhe Financa, në komunën e Istogut sot është mbajtur dëgjimi i parë publik me qytetarë për të diskutuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2011-2013.
Paraprakisht, të gjitha drejtoritë komunale kanë përgatitur listën e projekteve kapitale për periudhën e cekur më lartë, ndërsa Komiteti për Politikë dhe Financa, tashmë, ka mbajtur dy mbledhje ku është elaboruar puna e gjertanishme rreth KAB-it.
Drejtori i Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, z. Qazim Loxha, ka prezantuar detaje të KAB-it deri sa Zyrtari Kryesor Financiar, z. Osman Sadikaj, ka dhënë shpjegime të hollësishme rreth projekteve të propozuara.
Në vitin e ardhshëm, për realizimin e projekteve kapitale, janë paraparë 2.165.552 Euro dhe se kjo shumë është nga planifikuar nga burime të sigurta financimi siç janë grantet qeveritare dhe të hyrat vetanake të komunës.
Në tubimin e sotëm u tha se edhe në periudhën e ardhme participimi i qytetarëve do të konsiderohet seriozisht dhe se projektet e tilla do të ndihmohen nga ana e komunës, për çka, Zyra e kryetarit n]ë kuadër të projekteve posedon me 344.850 Euro.
Pasi që ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrje në dëgjimin publik, kryetari Haki Rugova, në mes tjerash është shprehur:”Do të procedojmë shumë realisht me projektet për të cilat së bashku me ju do të vendosim, duke ju dhënë prioritet atyre projekteve që janë më të arsyeshmet, gjithmonë duke u mbështetur edhe në mundësitë tona buxhetore”
Pajisja e disa mjediseve me uji të pijshëm, asfaltimi i rrugëve sekundare, kanalizimi, trafot, ndërtimi i shtëpive për skamnorë dhe halle tjera të qytetarëve, ishin disa nga kërkesat që u evidentuan në dëgjimin e sotëm për të cilat Komiteti për Politikë dhe Financa do ti shqyrtojë. Para datës 30 Shtator, kur Draft buxheti i Organizatës Buxhetore, Komuna e Istogut 2011/2013 duhet dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, do të mbahen edhe dy dëgjime publike në mënyrë që, së bashku me qytetarë, të vendoset për projektet prioritare.