U mbajt tubim me qytetarët e komunës
Ashtu siç kërkon Ligji i Vetëqeverisjes Lokale, Kryetari Haki Rugova ka mbajtur takimin e parë me qytetarë të komunës së Istogut. Në mbledhjen e cila pati karakter informues por edhe bashkëbisedues, qytetarët, të cilët kësaj radhe kishin ardhur në numër shumë më të madh se herëve tjera, patën mundësinë të dëgjojnë të arriturat që janë shënuar në periudhën Janar-Qershor të këtij viti. Fillimisht, të pranishmit, rreth 70 sish, kanë nderuar me një minutë heshtje kryetarin e përjetshëm të komunës së Istogut, Fadil Feratin, me që ky tubim ishte i pari i këtij lloji që nga vdekja e tij. Të pranishmit kanë dëgjuar raportin e punës së organeve komunale mbi aktivitetet e zhvilluara si dhe planet për aktivitetet tjera në gjysmën e dytë të vitit 2010. Nga ana e qytetarëve pati pyetje në të cilat Kryetari dhe drejtorët e drejtorive ofruan sqarime rreth shqetësimeve të tyre.