Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është takuar të premten me këshilltarët e KK të Lipjanit, në kuadër të “Javës së Kuvendit…
Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është takuar të premten me këshilltarët e KK të Lipjanit, në kuadër të “Javës së Kuvendit”, që po mbahet në disa komuna të vendit. Vetë kryeparlamentari Krasniqi tha me këtë rast se Kushtetuta e shtetit është për të gjithë vendin dhe se po bëhen punë të mëdha për t’u respektuar ajo në çdo cep. “Ka vështirësi, por puna po ecën para në sundim të ligjit dhe të kushtetuetshmërisë në gjithë vendin. Po bëhen punë të mëdha në këtë plan dhe sigurojë se shteti i kosovës do të prodhojë stabilitet e siguri në gjithë rajonin”, tha Krasniqi. Veç kësaj, kreu i Kuvendit shtoi para këshilltarëve të Lipjanit se ligjet që ka miratuar institucioni që ai drejton ka nevojë që praktika t’i verifikojë. “300 ligjet që janë miratuar në Kuvend kanë për qëllim të rregullojnë shumëçka në shtetin e Kosovës. Kosova ka vendosur standarde të reja jo vetëm në rajon, por në nivel të BE-së”, vlerësoi ai. Ndërkohë në takim ka folur edhe Sabri Hamiti, anëtar i kryesisë së Kuvendit. Hamiti tha se s’ka detyrë më të veçantë se të jesh i zgjedhur nga populli. “S’ka detyrë më të veçantë dhe më të mirë e përgjegjëse se të jesh i zgjedhur nga qytetarët për t’i përfaqësuar ata. Kuvendi i Kosovës është më i qetë në rajon dhe pothuajse më akademik se të gjithë”, tha ai. Më vonë këshilltarët e Lipjanit kanë adresuar edhe pyetjet e tyre lidhur me disa çështje në drejtim të krerëve të legjislativit kosovar.