Gjatë ditës së sotme edhe në komunën e Lipjanit është organizuar Provimi i Maturës Shtetërore. Ky provim është organizuar në 8 Qendra te testimit me gjithësej 1080 nxënës që i janë nënshtruar tesit.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, testi i maturës është organizuar duke respektuar masat mbrojtëse të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ku në secilën klasë numri maksimal i nxënësve ka qenë 12.
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Lipjanit, Elmaze Behluli së bashku me zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj kanë vizituar Qendrat e testimit, ku panë se procesi i testimit po zhvillohej mirë ashtu siç ishte planifikuar dhe ishin bërë organizimet e duhura nga shkollat nikoqire të testit.
Drejtoresha Behluli falënderoi nxënësit dhe administruesit e Testit për përgjegjshmërinë e lartë që kanë treguar sot duke respektuar masat e rekomanduara nga institucionet e shëndetësisë, për mbarëvajtjen e suksesshme të këtij procesi.
Ndërsa zëvendësministri i arsimit, Xhavit Rexhaj e vlerësoi lartë rrjedhën e testit dhe përgatitjet që janë bërë për këtë organizim.