Komuna e Lipjanit, në bashkëpunim me UNICEF-in e financuar nga Bashkimi Evropian, sot lansuan fushatën për promovimin e gjithëpërfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara me një ceremoni të mbajtur në Sheshin “Adem Jashari”. Kjo fushatë u shënua me prezantimin e instalacionit simbolik “Lomshi”, një vepër artistike e hapur për publikun për tri ditë, që sjell në pah sfidat e përditshme të fëmijëve me aftësi të kufizuara duke shërbyer si një thirrje e fortë për ndërgjegjësim dhe mbështetje ndaj tyre dhe familjeve të tyre.
Në këtë ceremoni, Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, z. Diamant Bytyqi, udhëheqësja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Veronika Vashchenko, dhe Drejtori për Shëndetësi, z. Shkëlzen Hajdin, theksuan rëndësinë e krijimit të një qasjeje gjithëpërfshirëse për të përmirësuar jetesën dhe integrimin social të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke ofruar një mjedis ku ata mund të zhvillohen plotësisht.
Fushata ndërgjegjësuese “Zgjidhe Lomshin” synon të adresojë sfidat unike me të cilat përballen këta fëmijë, duke mbështetur një vizion për të ardhmen ku çdo fëmijë gëzon të drejta dhe mundësi të barabarta.