Duke filluar nga objekti i Komunës së Mitrovicës sot është mbajtur marshi tradicional në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
Marshi tradicional është organizuar nga Drejtoria për Shëndetësi, në bashkëpunim me QKMF-në “Dr.Nexhat Çuni”, Grupin e Grave Asambliste dhe institucionet e organizatat qe veprojnë në Mitrovicë.
Në këtë organizim morën pjesë kryetari i komunës, z.Bedri Hamza, kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj.Vesa Broja, drejtori i drejtorisë për Shëndetësi, z.Fahri Shabani, Grupi i Grave Asambliste të Kuvendit Komunal, përfaqësues nga QKMF-ja, Policia, OJQ, si dhe nxënës e personel arsimor të shkollave të mesme në Mitrovicë.
Në fjalën e tij kryetari i komunës, z.Bedri Hamza, theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, kujdesit mjekësor të vazhdueshëm dhe mbështetjes për gratë që përballen me këtë sëmundje.
Tutje, kryetari Hamza përmendi rolin e institucioneve lokale në organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe vlerësoi lartë kontributin e personelit shëndetësor në trajtimin e rasteve.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z.Fahri Shabani, ka thënë se ky muaj synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit, parandalimit dhe mbështetjes për ato qe i kanë mbijetuar.
Ecja tradicionale ndërgjegjësuese për parandalimin e kancerit të gjirit ka filluar nga objekti i Komunës së Mitrovicës, duke vazhduar në sheshin e qytetit “Isa Boletini”, pastaj në sheshin “Mehë Uka” dhe ka përfunduar tek sheshi “Adem Jashari”.



