Kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, z. Fahri Shabani, sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe bashkëfinancimi me drejtorin e organizatës “Qatar Charity”, z.Esam Dabab, për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në lagjen Iliridë.
Me këtë rast, kryetari Hamza ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse ndërtimi i kësaj qendre është mese i nevojshëm për qytetarët dhe mbetemi të përkushtuar në përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe në ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve të Mitrovicës.
Ai më tutje ka shtuar se përmes këtij investimi do të arrihet përmirësimi i cilësisë në shërbimet shëndetësore, përmirësimin e kushteve për personelin shëndetësor si dhe rritja e performancës së shërbimeve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Ndërsa, z. Esam Dabab, drejtori i organizatës “Qatar Charity”, shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar edhe më tutje në realizimin e projekteve për qytetarët e Mitrovicës.
Objekt i QMF-së në Iliridë do të jetë një qendër shëndetësore moderne me një sipërfaqe prej 370 m2, ndërsa vlera e këtij projekti është 340,200.00 euro i cili do të financohet nga organizata “Qatar Charity” dhe Komuna e Mitrovicës.