Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka vizituar sot në para dite komunën e Ranillugut dhe me atë rast ka takuar menaxhmentin e komunës të udhëhequr nga kryetarja Katarina Ristic Iliq. Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i komunës Vlladica Aritonoviq, kryesuesi i K.K Ivan Krstiq, nënkryetari për komunitete Arton Dubova, drejtorët e të gjitha drejtorive dhe delegatja në K.K. Snezhana Ristiq.
Ky ishte takimi i parë i ambasadorit me menaxhmentin e komunës dhe një mundësi për të diskutuar për bashkëpunimin e komunës me misionin e OSBE-së, për të dëgjuar sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet komuna dhe nëse ka mundësi për t’i zgjidhur ato. Të dyja palët u pajtuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë në nivel shumë të lartë dhe shpresojnë që të jetë i tillë edhe në të ardhmen.
Menaxhmenti i komunës me theks të veçantë i kushtoi problemit të furnizimit me ujë, si dhe papërgjegjshmërisë së kompanive rajonale, në radhë të parë Hidromorava. U theksuan tema të tjera si të drejtat e njeriut, barazia gjinore, të rinjtë, si dhe gjendja e sigurisë në territorin e komunës.
Ambasadori shprehu mirënjohje të madhe për takimin dhe mikpritjen, duke premtuar se do të ndihmojë në problemet e theksuara në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet e Misionit të OSBE-së.