Shtime, 8 mars 2024 – Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, respektivisht 137 vjetorit të hapjes së mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Drejtoria e Arsimit, të enjten ka organizuar një ceremoni solemne për shënimin e kësaj dite.
Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, uroi mësimdhënësit për këtë ditë të shënuar dhe mes tjerash tha se në përvjetorin e shkollës së parë shqipe, kujtojmë të gjithë fanarët e arsimit shqip, nga Pandeli Sotiri, motrat Qiriazi, te Ernest Koliqi dhe te sistemi i arsimimit paralel në Kosovë që e mbajti gjallë shpresën për dije atëherë kur shkollave i’u mbyllën dyert nga okupatori.
“Siç dihet, 7 Marsi-Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në gjithë hapësirat shqiptare, ndërsa në Kosovë për herë të parë ka filluar të kremtohet publikisht, vetëm pas viteve të ’90-ta”, tha Aliu, duke shtur se në këtë datë të shënuar, shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë mësimdhënësit por edhe udhëheqësit e sistemit paralel mësimor të kohës, të cilët dhanë shumë nga vetja, ku përmes një sakrifice të pashoq, në kushte të jashtëzakonshme e nën thundrën e armikut, arsimuan, edukuan dhe nxorën breza e gjenerata të shkëlqyera, të cilat jo vetëm se u bënë pishtarë të arsimit, por edhe prijës, luftëtarë e dëshmorë të UÇK-së, të flakët për Liri, Pavarësi e shtetndërtim.
“Uroj që brezat që po vijnë të kenë marr të gjitha vlerat arsimore, edukative, humane e kombëtare që u’a keni përcjellë, e po u’a përcillni gjatë punës tuaj fisnike e të palodhëshme”, tha Aliu.
Yllka Fejzullahu, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit në Shtime, tha se që nga 7 Marsi i vitit 1887, secili mësues e mësuese duhet të ndihet krenar që ishte pjesë e zingjirit të pandashëm për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe rrënjëve tona si komb.
“Mësimdhënësi i përkushtuar seriozisht meriton përkulje në shenjë respekti dhe mirënjohje për gjithë punën e mundin në profesionin kaq fisnik dhe dinjitoz. Në sytë e nxënësit, mësuesi është përfaqësuesi i një jete që po çelet përpara, duke u qëndruar pranë me gjithë qenien e tyre intelektuale, atdhetare e njerëzore. Le të kujtojmë sot edhe figurën e mësuesit rezistent, luftëtar e dëshmor, si shumë mësues nga Komuna e Shtimes që luftuan e kontribuan për çlirimin e vendit. Investimi në arsim është parakusht themelor për zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë, andaj si qeverisje komunale bashkë me kryetarin Aliu arsimin e kemi prioritet”, tha Fejzullahu.
Drejtoria e Arsimit, për nder të shënimit të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ka dhënë mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar, mirënjohje post-mortem për mësimdhënsit e ndjerë dhe mirënjohje për veteranët e arsimit.
Për angazhimin dhe kontributin e dhënë në procesin edukativo-arsimor, mirënjohje u dhanë këtyre mësimdhënësve të dalluar: Ganimete Sylejmani, mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe nga shkolla “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë, Drita Januzi, edukatore nga Institucioni Parashkollor “Albiona Asllani” në Shtime, Bekim Krasniqi, mësimdhënës klasor nga shkolla fillore “Emin Duraku” në Shtime, Sherife Muhaxheri, edukatore nga shkolla “Abdullah Shabani” në Carralevë, Isak Gashi, mësimdhënës i lëndës matematikë nga shkolla “Hasan Prishtina” në Godanc, Vesel Rexhaj, mësimdhënës i matematikës nga shkolla “Bajram Curri” në Petrovë, Dafina Hajredinaj Brahaj, edukatore në shkollën “Idriz Ajeti” në Pjetërshticë, Xhelal Ismajli, mësimdhënës klasor nga shkolla “Skënderbeu” në Reçak, Xhemajl Baftiu, mësimdhënës i makinerisë nga Institucioni i Arsimit dhe Aftësimit Profesinal në Shtime, Nuhi Baftiu, mësimdhënës i lëndës gjuhë dhe letërsi shqipe nga Gjimnazi “Naim Frashëri” në Shtime, Zijavere Arifi, mësimdhënëse e lëndës biologji nga Shkolla e Mesme e Ulët “Emin Duraku” në Shtime.
Mirënjohjet Post-Mortem për mësimdhënësit që kanë dhënë shumë për arsimimin e brezave tanë, i ndau kryesuesi i Kuvendit të Shtimes, Adnan Ademi, e të cilat i’u dhanë familjarëve të: Nazife Ahmetit, Mahmut Sadriut, Ibush Sherifit, Jakup Fejzullahut dhe Hysni Baftiut.
Me mirënjohje u nderuan edhe Veteranët e Arsimit, që kanë dhënë kontribut të veçantë në edukimin dhe arsimimin e brezave të nxënësve ndër vite: Fikrije Bajrami, Liman Hysenaj, Mustaf Ismajli, Xhavit Rexhaj, Halim Beqaj, Ibadete Arifi, Imrane Beqa, Sevdije Hysaj-Fetahu, Xhavit Qorrolli, Aziz Ahmeti, Naser Hasani, Xhavit Kokollari, Haqif Qarri, Imer Sadriu, Ibrahim Demiri dhe Ali Hajrizi.
Mirënjohjet për kontributin e dhënë në trajnimin e punonjësve në Institucionin Parashkollor “Albiona Asllani”, i ndau nënkryetari i Komunës Faruk Beqa, e që i takoi drejtorit të HSK-së, Naim Bajraktarit, ndërsa Labinot Qarrit, i’u nda mirënjohje për kontributin e dhënë në çerdhen “Albiona Asllani” si trajner për çështje të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Në fund të kësaj ceremonie, DKA, kishte përgatitur edhe një koktej rasti.




