Shtime, 28 shkurt 2024 – Edhe në komunën e Shtimes, për herë të parë ka filluar dje vaksinimi me vaksinën HPV – kundër kancerit të qafës së mitrës.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me zëvendësministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe drejtoreshën për Arsim në Komunën tonë, Yllka Fejzullahu, vizituan paralelen VI/1, në SHMU “Emin Duraku”, në Shtime, për të parë nga afër procesin e vaksinimit që po zhvillohet dhe për të inkurajuar nxënësit në marrjen e kësaj vaksine, pasi që kjo parandalon në më shumë se 90% të rasteve kancerin e qafës së mitrës.
“Kjo gjeneratë e ka fatin e mirë meqenëse nga tani e tutje do t’i bëjmë në mënyrë sistematike vaksinimet HPV si dhe do të përpiqemi për zgjerim të kontrollave dhe kujdesit mjekësor për nxënësit tanë”, tha Aliu, duke u bërë thirrje të gjithë prindërve që të inkurajojnë fëmijët e tyre që të vaksinohen.
Yllka Fejzullahu, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit, tha se vaksina HPV, është masë preventive-efikase për jetën dhe shëndetin e vajzave e grave, kundër kancerit të qafës së mitrës, dhe se tanimë ka filluar të jepet nëpër shkollat e komunës sonë.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), vaksina është e sigurt dhe mund të parandalojë mbi 90% të kancereve të shkaktuara nga Human Papilloma Virusi.
Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë, deri më tani ka siguruar mbi 15 mijë doza të vaksinës dhe se nga viti 2024, sipas MSH-së, planifikohet që vaksina HPV (Human Papilloma Virus), të përfshihet në kalendarin e rregullt të vaksinimit.




