Shtime, 16 mars 2023 – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit, në të cilën është diskutuar për sigurinë e përgjithshme në komunën e Shtimes dhe Draft-Planin e Veprimit të KKSB-së për periudhën 2023-2025.
Nënkryetari i komunës së Shtimes, Faruk Beqa, ka hapur këtë seancë të KKSB-së duke i njoftuar të pranishmit me rendin e ditës, ku fillimisht tha se do të diskutohet për çështjen e sigurisë, brenda komunës.
Për këtë çështje, ka informuar rreshteri Nexhmedin Ahmeti duke thënë se gjendja e sigurisë në komunën tonë është e qetë dhe stabile. Ai në vazhdim ka dhënë shifra për rastet që janë trajtuar nga Stacioni i Policisë në Shtime gjatë vitit 2022 dhe në këtë fillim të këtij viti.
Pastaj, rreshteri Ahmeti ka dhënë raportin rreth ligjëratave të mbajtura nëpër institucionet shkollore të komunës sonë lidhur me dukuritë negative me tema: Bullizmi dhe masat parandaluese, pasojat e përdorimit të narkotikëve, dhuna në familje, masat e sigurisë ndaj keqpërdorimit të internetit, parandalimi i ngacmimeve seksuale dhe masat ligjore ndëshkimore, repektimi i shumëllojshmërisë së shoqërisë me qëllim të parandalimit të ekstremizmit, siguria e qarkullimit të këmbësorëve në trafik, ruajtja e ambientit dhe trashëgimia kulturore etj.
Më pastaj, për çështjen e sigurisë, përkatësisht për vjedhjet e fundit nëpër shkolla e ka ngritur si problem në vete, drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu, ku lidhur me këtë çështje dhe dukuri tjera negative kanë folur gjithashtu nënkryetari Faruk Beqa, përgjegjësi i Zyrës Komunale për Kthim dhe Komunitete, Ibrahim Demiri dhe imami i Këshillit të Bashkësë Islame, Skender Baftiu.
Në vazhdim të mbledhjes, nga anëtarët e pranishëm të KKSB-së me shumicë të votave është miratuar Plani i Veprimit të KKSB-së për periudhën 2023-2025.