Diellza, Trëndelina dhe Eulona ju ofruan shërbime qytetarëve në Qendrën për Shërbim me Qytetarë, Kastrioti dhe Rinesa u kujdesen që çiftet të caktojnë datën për martesë në Gjendjen Civile, ndërsa Bekimi u angazhua në Zyrën e Tatimit në Pronë.
Për një ditë, ata ishin pjesë e stafit të Komunës së Vushtrrisë ku me përpikëri u kujdesen që qytetarët të marrin shërbimet e nevojshme administrative. E angazhimi i tyre u bë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Mundësive të Barabarta.
Gjatë punës, ata janë vizituar nga nënkryetarja e Komunës së Vushtrrisë, Hava Mlinaku, drejtoresha për Administratë, Hyrie Uka Hoxha dhe zyrtarja për Barazi Gjinore, Remzije Zekolli.
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Mundësive të Barabarta u organizua nga Drejtoria e Administratës dhe Njësiti Komunal për të Drejtat e Njeriut, ndërsa ishin pjesë Shoqata Down Syndrome, Handikos dhe Shoqata e Shurdhmemecëve.