Komuna e Vushtrrisë ditën e djeshme ka zhvilluar takimet e para për buxhetimin me pjesëmarrje në lokacionet e përzgjedhura,
fshatin Oshlan dhe
lagjen “Ura e Vjetër e Gurit”.


Lokacione këto që janë përzgjedhur në bazë të kriterit të gjithëpërfshirjes nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, që të pilotohet buxhetimi me pjesëmarrje, që për qëllim ka që qytetarët të përfshihen në vendimmarrje dhe të përzgjedhin se çka dëshirojnë që komuna të investojë në lokalitetin e tyre.
Përfaqësuesit e Komunës së Vushtrrisë ofruan shpjegimet rreth buxhetimit me pjesëmarrje, ndërsa qytetarët pjesëmarrës parashtruan kërkesat e tyre në bazë të kritereve të përcaktuara nga komuna.
Kriteret për përzgjedhje të projekteve janë: Shuma deri në 35,000 euro, numri i përfituesve të jetë sa më i madh, të jetë në përgjegjësi dhe në pronë të komunës, të ndikojë në përmirësimin e jetës së banorëve, të mos jetë pjesë e planifikimeve aktuale buxhetore.
Banorët e fshatit Oshlan propozuan këto projekte:
1. Përfundimi i kanalizimit në lagje të caktuar të fshatit
2. Shtëpi për komunitetin
3. Zgjerimi i rrugëve
4. Ndriçimi i fshatit
Banorët e lagjess “Ura e Vjetër e Gurit” propozuan këto projekte:
1. Park rekreativ tek banesat e bardha dhe banesat e reja
2. Ulëse për lagjen
3. Shporta të mbeturinave në lagje
4. Anësore metali në rrugën kryesore të lagjes
5. Parking publik për lagjen
Të gjitha këto projekte, do t’i nënshtrohen verifikimit nga ana e Komunës së Vushtrrisë nëse janë sipas kritereve të parapara dhe në takimin e radhës do të votohen nga vet banorët.
Dy projekte të përzgjedhura nga qytetarët, një për fshatin Oshlan dhe një për lagjen “Ura e Vjetër e Gurit”, pas votimit nga qytetarët do jetë pjesë e buxhetit për vitin 2025.