Është shënuar sot 100 vjetori i rezistencës në Arbërinë e Vogël, e udhëhequr nga Azem dhe Shotë Galica.
Fillimisht janë bërë homazhe tek varri i heroit Azem Galica, në fshatin e tij të lindjes në Galicë dhe tek bashkëluftetarët e tij në Lubovec.
Më pas është mbajtur akademi përkujtimore me pjesëmarrje të shumë qytetarëve, Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, figurave publike, institucionale e politike, familjarë të Azem Galicës, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Mehmet Konjuhit, Idriz Seferit e Shaban Polluzës.
Aktivitetet për shënimin e 100 vjetorit të rezistencës në Arbërinë e Vogël, janë organizuar nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili në fjalën e tij tha se heronjtë Azem dhe Shotë Galica, me trimërinë dhe vendosmërinë e tyre na treguan rrugën e vërtetë të rezistencës dhe përkushtimit ndaj atdheut.
“Rezistenca në Arbërinë e Vogël, e udhëhequr nga Azem dhe Shotë Galica, është një testament i vendosmërisë për të mos u dorëzuar përballë padrejtësive dhe shtypjes. Ky përvjetor na kujton rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit, ashtu siç Azemi dhe Shota bashkuan forcat e tyre dhe komunitetin për të mbrojtur tokën e tyre të shenjtë.
Lavdi jetës dhe veprës së Azem dhe Shotë Galicës”, tha kryetari Idrizi.
Gjithashtu, u ndanë dekorata për fshatrat e Arbërisë së Vogël, Galicë, Lubovec e Mikushnicë, për Radishevën (vendlindja e Shotë Galicës) dhe Selac (dajtë e Azem Galicës).
Po ashtu, sot u bë hapja e ekspozitës me dokumente e fotografi të Azem e Shotë Galicës, të përgatitur nga Prof.Dr Mentor Hasani dhe Dr.Izet Miftari.
wpChatIcon
wpChatIcon
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.