Prishtinë, 24 prill 2008
Në muajin qershor fillon trajnimi i zyrtarëve të lartë të institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e qeverisjes elektronike.
Zëvendëskryeministri Ramë Manaj dhe Ministri i Ministrisë së Shërbimeve Publike, dr. Arsim Bajrami, ditën e parë të vizitës në Republikën e Estonisë u pritën nga drejtuesit e Akademisë për Qeverisje Elektronike Arvo Ott dhe me Liia Hanni.
Gjatë këtij takimi miqësor, ata morën mbështetjen nga drejtuesit e këtij institucioni se nga fillimi i muajit qershor do të fillojnë trajnimet e para të zyrtarëve të lartë të institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e qeverisjes elektronike. Gjithashtu, zëvendëskryeministri Manaj dhe ministri Bajrami realizuan edhe një takim me drejtuesit e Shkollës Estoneze të Diplomacisë dhe ranë dakord për fillimin e trajnimeve diplomatike për stafin diplomatik të Republikës se Kosovës.
Delegacioni nga Kosova, nesër, pritet të realizojë takime me Ministrin e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Telekomunikacionit dhe me Ministrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Estonisë. Ndërsa, në orën 13:00 do të realizohet ceremonia protokollare e nënshkrimit të protokollit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Estonisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.