Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë , Ramë Buja, vizitoi sot Rektoratin e Universitetit të Prishtinës( UP) dhe mori pjesë në ligjëratën e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Erhard Buhler në Fakultetin e Filologjisë.
Në takimin me rektorin Rugova dhe me bordin udhëheqës të Universitetit të Prishtinës, ministri Buja u informua me punën e Universitetit, sukseset dhe sfidat e së ardhmes . Me këtë rast, ministri i Arsimit, Ramë Buja u shpreh se do të mbështesë këtë institucion , sa herë që do të jetë e nevojshme përfshirë këtu edhe aspekte infrastrukturore, por shtoi se, prioritet i angazhimeve mbetet ngritja e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet arsimore në Kosovë.
Nga ana tij, rektori i UP-së, Mujë Rugova veçoi disa mangësi, të cilat vazhdon t’i ketë Universiteti. Ai tha se, Qeveria e Kosovës e ka mbështetë këtë institucion në vazhdimësi dhe pret që edhe sivjet të ndajë buxhet të mjaftueshëm për përmbushjen e nevojave të Universitetit të Prishtinës. Më tej, ai shtoi se, identifikimi i nevojave buxhetore nëpër institucionet e arsimit, duke përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës, do të mund të përfshihen në buxhetin e ri, para se ai të shkojë në Kuvend për shqyrtim e miratim.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, po ashtu, ka marrë pjesë edhe në ligjëratën e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Erhard Buhler me temë “Armata gjermane dhe misioni në Kosovë”, e cila u ndoq me interesim të madh nga shumë të pranishëm në sallën e kuqe të Fakultetit të Filologjisë.
Në fjalën e rastit, ministri Buja i uroi komandantit Buhler sukses në misionin e tij, ndërsa tha se, ndihma e KFOR-it dhe komandantit Buhler për Kosovën ishte shumë e madhe jo vetëm në sfondin ushtarak dhe të sigurisë në vendin tonë, por edhe ne në atë të ndihmesës së popullit dhe grupeve sociale me ndihma të ndryshme materiale.