Prishtinë, 5 qershor 2009 – Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM), KOSTT, ZRrE dhe KEK sot kanë prezantuar para Komisionit Evropian (KE), progresin e arritur në fushën e energjisë për periudhën shtator 2008 – maj 2009. Me këtë rast MEM, ka prezantuar të arriturat në fushën e harmonizimit të ligjeve me BE-në, progresin ndaj obligimeve që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë TKE-së, etj. Në takim po ashtu janë prezantuar të arriturat në projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, dhe Hidrocentralit të Zhurit.
Ministrja e Energjisë dhe Minierave (MEM) Justina Shiroka Pula, është shprehur se gjatë kësaj periudhe MEM ka punuar seriozisht për të arritur objektivat që këto të arritura të jenë të ndjeshme. “Konstatoj se gjatë periudhës në fjalë është bërë progres i ndjeshëm dhe i matshëm. Në veçanti progres është shënuar në fushën e integrimeve evropiane në kuadër të Planit të Veprimit për partneritet evropian dhe në kuadër të Komunitetit të Energjisë”, ka thënë ministrja Pula.
Ajo më tej ka siguruar përfaqësuesit e Komisionit Evropian se Qeveria e Kosovës ka vëmendje të madhe dhe prioritet sektorin energjetik duke pasur parasysh se energjetika do të jetë njëri nga katalizatorët e zhvillimit ekonomik. Në takim po ashtu është diskutuar edhe për procesin e Planit të veprimit të partneritetit Evropian.
Nga ana tjetër përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Nicholas Cenderowicz ka vlerësuar të arriturat dhe progresin e shënuar në fushën energjisë, duke inkurajuar kështu akterët e kësaj fushe në vazhdimin e punës në mënyrë që të arrihen standardet evropiane.