Prishtinë, 31 tetor 2008 – Të premten në prani të ministres së Energjisë dhe Minierave (MEM) Justina Shiroka Pula, ministrit për kthim Sasha Rashiq dhe kryetarit të Komunës së Kamenicës Begzat Sinani në ambient të Ambasadës Çeke në Prishtinë, është nënshkruar marrëveshja e përbashkët në mes Janina Hrebickova e ngarkuara me punë në ambasadën Çeke dhe Moris Devullf drejtor i UNDP-së për Kosovë për riparimin e rrjetit elektrik në fshatin Berivojcë Komuna e Kamenicës donacion ky i Republikës Çeke që kap shifrën prej 70 mijë eurosh.
Marrëveshja për riparimin e këtij rrjeti ka shënuar gjithashtu partneritetin e parë në mes Republikës Çeke dhe UNDP-së në Kosovë. Me këtë rast Ministrja e Energjisë dhe Minierave Justina Shiroka Pula, ka pohuar se ky donacion është i mirëseardhur, duke falënderuar përfaqësuesen e Republikës Çeke z. Hrebickova për këtë investim- “ Ky investim flet më së miri për interesimin e shteteve për të ndihmuar Republikën e Kosovës investim ky, i cili do të ndihmoj në përmirësimin e gjendjes energjetike të Kosovës- “ ka thënë ministrja Pula.
Ndërsa Janina Hrebickova e ngarkuara me punë në ambasadën Çeke, ka pohuar se ky investim është vetëm nisma e ndihmës e Republikës Çeke për Kosovën- “Republika Çeke është e gatshme të mbështes Kosovën në përpjekjet për të arritur strukturën ndërkombëtare”- ka thënë Hrebickova, duke shtuar se mirëkuptimi ndëretnik është bazë për zhvillimin qëndrueshëm dhe zhvillimin ekonomik. Ndryshe, riparimi i rrjetit elektrik në Berivojcë donacion nga Republika Çeke është brenda kornizës së programit prej katër milionësh, i cili synon të ndihmoj zhvillimin, infrastrukturën, punësimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimimin në Kosovë.