Prishtinë, 9 qershor 2009 – Në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave (MEM) sot është mbajtur takimi i rregullt i Komitetit Drejtues Ndërministror për Hidrocentralin e Zhurit, të cilin takim e ka kryesuar ministrja e Energjisë dhe Minierave Justina Shiroka Pula.
Pjesëmarrës të takimit ishin Ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF) Ahmet Shala, ai i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) Mahir Jagcilar, ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Lutfi Zharku, zëvendësministri i Pushtetit Lokal (MAPL) Shpend Tërdevaj, Lorik Haxhiu menaxher i Zyrës së Projektit PATEL dhe Ranjit Ranjak përfaqësues i Bankës Botërore (BB).
Në takim është diskutuar për ecurinë e mëtutjeshme të projektit të Hidrocentralit të Zhurit, ndërsa është vlerësuar pozitivisht prezantimi publik i rezultateve të studimit të fizibilitetit i prezantuar javën e kaluar. Gjithashtu në takim janë shqyrtuar Termat e Referencës për angazhimin e këshilltarëve të transaksionit për këtë projekt si dhe rreth aktiviteteve të ardhshme dhe planit kohorë.
Ndryshe, në periudhën e ardhshme pritet që zona e projektit të shpallet si zonë e interesit, ndërsa anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror do të realizojnë një vizitë në terren.