Prishtinë, 1 korrik 2009 – Në Klinikën e Psikiatrisë dhe Neurologjisë
të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Ministrja e Energjisë dhe
Minierave Justina Shiroka – Pula, zv.ministri Blerim Rexha me
bashkëpunëtorë ka inauguruar realizimin e projektit, “Promovimi i
shfrytëzimit të energjisë solare”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin
edhe Jusuf Ulaj drejtor QKUK-së, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë,
Gentian Qala.
Me këtë rast, Ministrja Pula tha se përmes këtij projekti synohet të promovohet shfrytëzimi i energjisë diellore për ngrohjen e ujit sanitar, duke pas parasysh edhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Klinikat e Neurologjisë dhe Psikiatrisë.
“Projekti do të mundësojë furnizimin me ujë të ngrohtë sanitar të rreth 230 pacientëve dhe personelit të klinikave, në temperaturën maksimale 60oC. Janë instaluar 42 panele diellore, me sipërfaqe të përgjithshme rreth 100 metra katrorë. Janë vendosur dy bojlerë për ujin e ngrohte sanitar, me kapacitetin vëllimor nga 3500 litra, e cila sasi e ujit do të mund të deponohet në rezervuarët me kapacitet dy herë 3500 litra”, tha Ministrja Pula.
Ajo shtoi se Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) është i interesuar të ndihmojë QKUK-në në përmirësimin e kushteve të punës duke paralajmëruar se instalimi i paneleve diellore do të vazhdojë edhe në klinikat tjera. Ndërkohë që ky projekt shkon në drejtim të përmbushjes së direktivave të Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, drejtori i QKUK-së ka falënderuar Ministrinë e Energjisë dhe Minierave për ndihmën që ka dhënë në përmirësimin e kushteve në këtë qendër shëndetësore, respektivisht mundësimin e ngrohjes së ujit sanitar përmes paneleve diellore. Ai tha se kjo do t’i shërbejë shumë pacientëve dhe stafit të klinikave të Psikiatrisë dhe Neurologjisë.
Panelet e instaluara diellore i përkasin prodhuesit Gjerman dhe fuqia e tyre absorbuese energjetike është mbi 500 kWh/m2 në vit. Përmes shfrytëzimit te paneleve diellore ne këto klinika do te mundësohet kursimi vjetor i energjisë ne sasinë rreth 90MWh në vit. Instalimi i paneleve diellore në QKUK është financuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave.