Prishtinë, 18 shkurt 2009 – Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM) ka marrë të gjitha masat që endra Klinike Universitare të Kosovës të ketë trajtim të veçantë në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike.
Ka qenë insistimi i vetë ministres së Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka- Pula që t’i dilet në ndihmë konsumatorit më të ndjeshëm të KEK-ut, ndihmë që nuk ka munguar edhe më herët.
Lidhur me këtë, të mërkurën ministrja Pula dhe u.d. të drejtorit menaxhues të KEK-ut, z. Arben Gjukaj kanë vizituar QKUK-në dhe kanë takuar drejtorin e QKUK-së, Jusuf Ulaj si dhe stafin tjetër të qendrës.
Aty, u vendos që KEK-u të dërgojë ekipin për ekzaminimin e rrjetit të brendshëm të QKUK me pajisjet ndihmëse dhe ekspertët e KEK-ut. Gjithashtu u vendos që KEK-u të trajnojë dy punëtorë të mirëmbajtjes së QKUK-së që të jenë në gjendje t’i zgjidhin problemet eventuale në rrjetin e brendshëm të qendrës.
Ministrja Pula ka shprehur gatishmërinë që të paraqesë edhe në Qeverinë e Kosovës nevojën për investimin e rreth 170 mijë eurove në mënyrë që QKUK-ut t’i mundësohet edhe një lidhje direkte rezervë.
KEK-u e ka linjën e gatshme, por mungon gjysma e linjës kabllore nëntokësore. KEK-u gjithashtu do t’i ndërrojë trafot e brendshme të QKUK-ut nëse evidentohet se ndonjëra nga to është e mbingarkuar.