Prishtinë 20 shkurt 2009 – Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës në Stan Tërg nën patronatin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi sot është hapur solemnisht “Java e Minatorëve”. Për të hapur këtë manifestim minatorët në kompleksin Trepça sot i kanë nderuar qeveritarë të vendit .
Të pranishëm në këtë shënim ishin zv/kryeministri i Kosovës Ramë Manaj , Ministrja e Energjisë dhe Minierave Justina Shiroka Pula, së bashku më zv/ministrin Blerim Rexha , ministri i pushtetit lokal Sadri Ferati, kryetari i Komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi etj.
Me këtë rast Ferat Shala menaxher i Kompleksit Trepça ka falënderuar Institucionet e Kosovës për interesimin e tyre për të shënuar 20 vjetorin e hyrjes në greve urie të minatorëve të Trepçës . Ai tha se 20 vjet më parë në Stan Tërg minatorët u ngujuan hyn në grevë, e cila grevë hyri në histori për karakterin e saj politik dhe përmasën e saj madhështore . “ Në vitin 1989 Kosova po i humbte edhe ato pak të drejta politike që i kishte deri atëherë në mbrojte të atyre të drejtave u ngritën minatorët e Trepçës dhe në gjithë Kosovën. Minierat e Trepçës që deri atëherë ishin simbol i pasurisë së Kosovës, tashmë u bënë simbol i rezistencës së saj “, është shprehur Shala.
Ndërsa, zv/kryeministri Ramë Manaj tha se para 20 viteve kur po tentohej të rrënohej jeta institucionale dhe shoqërore minatorët ishin ata që sensibilizuan çështjen e Kosovës, duke u futur në një grevë që mbronin të drejtat e shqiptarëve si shumicë në Kosovë.
Ndërsa, kryetari i komunës së Mitrovicës Bajram Rexhepi tha se minatorët e Trepçës para 20 viteve ishin ata që lëkunden themelet e Jugosllavisë, duke alarmuar se dinjiteti i nëpërkëmbur i popullit shqiptar duhet rikthyer.
Ndryshe, Java e Minatorëve është tradicionale, ndërsa këtë vit për herë të parë kjo Javë organizohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.