Berlin, 15 dhjetor 2009 – Zëvendësministri i Ministrisë së Energjisë dhe Minierave (MEM) dr.Techn Blerim Rexha i shoqëruar nga Ferat Shala drejtor i Trepçës dhe Ilir Morina Drejtor i Agjencionit për Mbrojtje të Mjedisit në kuadër të MMPH –së, kanë qëndruar në Berlin me ç’rast janë takuar me Dr. Werner Stackebrandt nga Agjencioni i Minierave të Republikës së Brandeburg dhe Berlin dhe prof. dr. Frank Riessback nga Universiteti i Humboldtit.
Takimi kishte qëllim diskutimin e përvojave gjermane në ristrukturimin e sektorit minerar në Gjermani në 20 vitet e fundit si dhe këmbimi i përvojave të dy shteteve në këtë fushë. Me këtë rast zv.ministri i energjisë dr. Techn. Blerim Rexha, është shprehur se përvojat gjermane në fushën minerare janë të mirëseardhura dhe si të tilla ato avancojnë përvojat e Kosovës „ Kualiteti i lartë i punës dhe investimet gjermane praktikat gjermane avancojnë fushën minerare të Kosovës dhe një bashkëpunim i tillë është i mirëseardhur „ ka thënë zv.ministri Rexha.
Gjatë qëndrimit në Gjermani delegacioni i Kosovës në krye më zv.ministrin Rexha kanë vizituar edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, ku janë pritur nga Ambasadori i Kosovës në Gjermani Vilson Mirëdita, ndërsa janë takuar edhe me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë gjermane Helge Tolksdorf dhe Petra Gerisch si dhe Gregor Wolf nga Shoqata ekonomike Gjermane-Kosovare. Në takim janë diskutuar zotimet dhe projektet e Qeverisë gjermane në sektorin e energjisë, situata aktuale në këtë sektor dhe mundësia e kyçjes së palës gjermane edhe në reformimin e sektorit minerar në Kosovë.