Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

PULA: Efiçienca e energjisë dimension i rëndësishëm në Strategjinë e Energjisë së Kosovës

PRISHTINË, 25 janar 2010 – Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula, e shoqëruar nga zvministri Blerim Rexha, Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Hans-Dieter Steinbach dhe përfaqësuesja e GTZ-së, Gabriele Becker kanë prezantuar projektin e poçeve efiçiente për kursimin e energjisë dhe trajnimin e auditorëve për energjinë efiçiente.

“Ky është një pilot-projekt, të cilin në bashkëpunim me GTZ-në do ta implementojmë në Kosovë dhe është projekt regjional. Qëllimi i këtij projekti është të rrisim masat e efiçiencës,  që konsumatorët ta kuptojnë se duhet ta kursejnë energjinë elektrike”, tha ministrja Pula.

Ajo ka bërë të ditur se ky projekt do të realizohet në tërë Kosovën, ndërsa do të zgjasë dy vjet dhe, sidomos në vendet ku ka kufizim të gjenerimit të energjisë elektrike. Komponenta kryesore e këtij projekti është implementimi i masave të efiçiencës në objektet publike, më vonë edhe në shtëpitë e konsumit të gjerë për t’i ndërruar poçet, për ta rritur efiçiencën dhe për ta kursyer energjinë elektrike. Komponenta e dytë, ka të bëjë me trajnimin e auditorëve për energjinë efiçiente, si dhe komponenta e tretë është një kampanjë, apo një fushatë për vetëdijesimin e popullatës.

“Me përfaqësuesit e GTZ-së dhe të MEM-it janë audituar disa objekte dhe ky projekt do të implementohet fillimisht në 6 objekte; në konviktin nr. IV në Prishtinë, Bibliotekën Kombëtare, Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, Fakultetin Teknik, Komunën e Gjakovës dhe në një shkollë në Gjilan”, tha ministrja Pula.

Sipas saj, në bazë të këtij projekti do të nxirren të priturat e rezultateve, që do të thotë se auditorët e GTZ-së do të analizojnë se sa kanë qenë shpenzimet e energjisë elektrike pa poçe efiçiente; sa kanë qenë shpenzimet e energjisë elektrike në kw/h me poçet efiçiente, sa do të jenë shpenzimet financiare dhe sa do të zvogëlohet dyoksidi i karbonit.

“Ky projekt është plotësisht në përputhje me vendimin, të cilin e kemi marrë në Qeverinë e Kosovës më datën 29 dhjetor 2009, që parasheh ndërrimin e poçeve efiçiente në të gjitha institucionet publike”, tha ministrja Pula për të shtuar se efiçienca e energjisë paraqet një dimension shumë të rëndësishëm edhe në Strategjinë e Energjisë së Kosovës dhe një komponentë shumë të rëndësishme në politikat energjetike të BE-së.

Sipas kreut të energjetikës së vendit, ky bashkëpunim me shtetin gjerman dhe GTZ-në paraqet një kontribut shumë të madh për të gjitha projektet për shkak se shteti gjerman është vendi i cili më së shumti i jep rëndësi efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme.

Ministrja Pula ka njoftuar se në kuadër të këtij projekti, gjithashtu është planifikuar edhe plani afatgjatë për efiçiencë, i cili është dërguar në Traktatin për Komunitetin e Energjisë dhe MEM është i obliguar të implementojë të gjitha direktivat e Bashkësisë Evropiane, të cilat dalin për efiçiencë, burime të ripërtëritshme dhe direktiva tjera.

Nga ana e tij, Ambasadori i Gjermanisë, Hans Dieter Shteinbach, ka lavdëruar Qeverinë e Kosovës për këtë projekt, duke shtuar se pasi që Bashkimi Evropian ka futur  direktivën për ndërrimin e poçeve nga 1 shtatori i vitit 2009, Gjermania ka qenë e para që ka mbështetur këtë projekt.

“Efiçienca e energjisë është një prej çështjeve më të rëndësishme për sektorin e energjisë në vitet që do të vijnë. Kur BE-ja ka miratuar legjislacionin për rritjen e efiçiencës përllogaritjet kanë qenë që masat e parapara vetëm BE-së do t’i kursejnë rreth 40 tera vat orë të energjisë që është baras  me rrymën që e përdor e tërë Rumania”, ka thënë ai.

Ambasadori Steinbach ka theksuar se ky projekt, po ashtu pritet të ndikojë edhe në rënien e prodhimit të energjisë dhe rrjedhimisht në zvogëlimin e emetimit të dyoksidit të karbonit.
 
Ndërkaq Gabriele Becker, përfaqësuese e GTZ-së, ka thënë se ky është hapi i parë që pritet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ngritjen e nivelit të efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike. Siç ka bërë të ditur ajo, sektori publik, apo më saktë ndërtesat ku janë të vendosura institucionet është përgjegjës për afro 50 për qind të energjisë së konsumuar.

“Është shumë me rëndësi që të bëhet vetëdijesimi i popullatës për rëndësinë e kursimit të energjisë dhe ky projekt, si rezultat final duhet të ketë rritjen e motivimit të sektorit privat për ndërmarrjen e masave që i kontribuojnë efiçiencës së energjisë”, ka thënë Becker.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.