Prishtinë, 5 tetor 2009
Të nderuar organizatorë të këtij forumi ndërkombëtar,
Të nderuar të ftuar pjesëmarrës nga jashtë Kosovës,
Të nderuar pjesëmarrës të tjerë,
Së pari dua t’i falënderoj organizatorët e këtij Forumi shumë të rëndësishëm për Kosovën. Është kënaqësi e veçantë për mua ta përshëndes këtë aktivitet jo vetëm në emrin tim, por edhe në atë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës e ka vendosur prioritet të parë zhvillimin ekonomik dhe plotësimin e kërkesave për t’u integruar në Bashkimin Evropian, sa me shpejt që kjo të jetë e mundur. Në këtë kontekst, ne po e reformojmë ekonominë tonë dhe këtë po e bëjmë në përputhje me qasjen dhe direktivat e Bashkimit Evropian (BE).
Në sektorin e energjisë, synimi ynë është që ta rrisim sigurinë e furnizimit me energji dhe ta përmirësojmë cilësinë e këtij furnizimi. Për këtë, ne po kryejmë reforma që përfshijnë plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, si dhe shthurjen e korporatës tonë elektroenergjtike, ashtu që ta mundësojmë tërheqjen e investimeve private në zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, si dhe përmirësimin e sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë.
Po ashtu, po punojmë për t’i shfrytëzuar gjithnjë e më shumë edhe burimet e ripërtërishme të energjisë, si dhe për ta rritur efiçiencën e energjisë së përdorur kudo në ekonominë tonë. Me këtë ne synojmë të arrijmë deri në vitin 2020 objektivin 20-20-20, të cilin e ka vendosur së fundi Bashkimi Evropian për shtetet e tij anëtare.
Ne në Kosovë, përballimin e këtyre sfidave e shohim të lidhur ngushtë edhe me tërheqjen e investitorëve privatë, në të gjitha format, përfshirë edhe angazhimin e kontraktorëve të ndryshëm që i ndërtojnë stabilimentet energjetike të investitorëve privatë.
Për ta përshpejtuar këtë, ne po punojmë intensivisht që sa më parë të:
1. Ristrukturojmë plotësisht sektorin elektroenergjetik, për ta mundësuar krijimin e tregut të lirë të energjisë dhe për ta përmirësuar menaxhimin e këtij sektori;
2. Plotësojmë një kuadër ligjor dhe rregullator në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë, që do ta lehtësojë edhe tërheqjen e investimeve kapitale të nevojshme në këtë sektor;
3. Ndërtojmë kapacitete të reja gjeneruese nga linjiti, që do të mundësojnë edhe të arrihet siguria më e mirë e mundshme e furnizimit me energji;
4. Zhvillojmë burimet e ripërtërishme në masën më të madhe të mundshme, dhe
5. Rrisim efiçiencën e përdorimit të energjisë nga të gjithë konsumatorët.
Për t’i arritur këto synime, ne kemi përgatitur planet zhvillimore, të cilat parashikojnë një numër projektesh të rëndësishme, ku do të kërkohen investime të konsiderueshme, përfshirë edhe ato private. Konkretisht mund t’i përmend:
• Përgatitjen për fillimin e ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’;
• Përgatitja për tërheqjen e investimeve private në sektorin e shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike;
• Përgatitjen për ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit, me kapacitet të instaluar rreth 300MW;
• Përgatitjen për ndërtimin e një numri të konsiderueshëm hidrocentralesh të vogla, instalimin e gjeneratorëve të erës, apo edhe shfrytëzimin e energjisë diellore, dhe
• Ngrohjen distriktuale të Prishtinës nëpërmjet bashkëprodhimit nga TC ‘Kosova B’.
Sa i përket shtimit të shkëmbimeve energjetike me vendet e tjera të rajonit, ne do ta fillojmë së shpejti ndërtimin e një linje 400kV interkonjeksioni me Shqipërinë, dhe parashikojmë edhe një linjë të dytë të tille me Maqedoninë. Ndërsa, investime kapitale të rëndësishme janë planifikuar në sistemin vendor të transmetimit dhe atë të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Pra, për të mos u zgjatur më shumë, dua ta përsëris edhe njëherë rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton investimeve, kryesisht private në sektorin energjetik.
Edhe njëherë ju uroj suksese në punimet e këtij forum.
Ministre
Justina Shiroka-Pula
Ju faleminderit !