Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Fjalimi Përshëndetës i Ministres Justina –Shiroka Pula për Konferencën e Investitorëve për Termocentralin “Kosova e Re”

 
Prishtinë, 20 janar 2010

I nderuari Kryeministër,
Të nderuar Investitorë të interesuar në Projektin Kosova e Re,
Të nderuar mysafir të kësaj Konference

Mirë se erdhët.

Sot, kemi arritur në një fazë të rëndësishme të zhvillimeve në rrugën drejt finalizimit të procesit për fillimin e ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’.
Është bërë shumë punë gjatë viteve 2008-2009, por sidomos gjatë vitit 2009, për të plotësuar e përshtatur sa më mirë kuadrin ligjor, rregullator dhe garantues të investimeve të nevojshme për zhvillimin e suksesshëm të Projektit ‘Kosova e Re’, siç vijon:

•    Ligji për Koncesione dhe Partneritete, i cili vendos mbi baza të qarta ligjore tërë procesin tenderues;

•    Janë rishikuar dhe azhurnuar tri ligjet bazike në fuqi të sektorit energjetik: Ligji për Energjinë, Ligji per Rregullatorin e Energjisë dhe Ligji për Energjinë Elektrike. Këto ligje janë në përputhje të plotë me ‘acquis communautaire’ të BE-së dhe do të mbështesin plotësisht përgatitjen e pakos tenderuese për Termocentralin ‘Kosova e Re’;

•    Në procedurë Parlamentare edhe Ligjin për Miniera e Minerale që krijon bazën e nevojshme ligjore për dhënien me koncesion shfrytëzimin e linjtit;

•     Është arritur konsensus i gjerë mbi krijimin e Korporatës së Linjtit, që do të jetë përgjegjëse për furnizim me linjit të kapaciteteve gjeneruese ekzistuese dhe kapaciteteve të Termocentralit ‘Kosova e Re’. Kjo Korporatë do të duhet të ngarkohet edhe me trajtimin e çështjeve të trashëguara mjedisore, sidomos mbylljen, përmirësimin dhe rikultivimin e mihjeve të Bardhit dhe Mirashit. Investitori i Termocentralit ‘Kosova e Re’ do të jetë i mirëpritur të investojë në zhvillimin e minierës së Sibovcit, si aksionar i rëndësishëm në Korporatën e Mihjes;

•    Së fundi, kemi bërë një pako të rikonfiguruar të Projektit si nga përmbajtja, ashtu edhe nga madhësia. Projekti si i këtillë do t’i plotësojë kërkesat e konsumit të pritur, do të zëvendësojë Termocentralin e vjetruar ‘Kosova A’ dhe ka mundësi për t’u financuar dhe për t’i siguruar garancitë e nevojshme për financimin  e tij.

Gjithashtu, kemi vendosur objektivat realiste për Projektin si në vijim:

•    Objektivi më i rëndësishëm është Siguria e Furnizimit. Furnizimi i sigurt me energji elektrike paraqet platformë kyçe për zhvillim ekonomik dhe mirëqenien kombëtare. Ky projekt me kapacitetin e vet prej 1100 MW mbështet këtë objektiv deri rreth vitit  2030, duke kombinuar kapacitetet e reja me kapacitetet e rehabilituara;

•    Objektiv tjetër i rëndësishëm është zhvillimi optimal dhe valorizimi i duhur i burimit të linjitit të Kosovës që paraqet platformën më të fuqishme për pjesëmarrje në eksportin rajonal të energjisë elektrike të gjeneruar nga rezervat e linjitit, duke siguruar kështu profite për Kosovën nga ky eksport;

•    Projekti ‘Kosova e Re’ i siguron Qeverisë aksione afatgjate në 2 kompanitë që parashikohen të krijohen; MineCo dhe GenCo. Kjo do të krijojë një partneritet të rëndësishëm afatgjatë mes Qeverisë së Kosovës dhe investitorëve të jashtëm në këtë sektor kyç;

•    Performanca e përmirësuar mjedisore, e cila do të realizohet përmes Projektit do të jetë një objektiv i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e popullatës;

•    Projekti, përveç kapitalit, do të sjellë në Kosovë edhe ekspertizën dhe përvojën ndërkombëtare.

Tani  jemi në kohën kur shumë shpejt do t’i finalizojmë detajet e pakos tenderuese për këtë Projekt. Synimi i Komitetit Drejtues të Projektit, që unë e kryesoj, është që deri në shtator të viti 2010 të përzgjedhim fituesin në mënyrë që të mundësohet fillimi i ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’, në fillim të vitit 2011.

Gjatë këtyre dy ditëve kjo Konferencë synon mundësitë për të marr opinione drejtpërdrejt nga tregu, pra ju investitorë, për projektin e rikonfiguruar dhe, gjithashtu për ofrimin e informatave plotësuese për investitorët e interesuar.

Ne jemi këtu në dispozicionin tuaj dhe të hapur që të dëgjojmë zërin e investitorëve dhe pritshmëritë e tyre. Jemi të përgatitur dhe do të bëjmë çdo gjë që është e mundur të sqarojmë sa më shumë secilin investitor të interesuar për pjesëmarrje në procesin për Projektin ‘Kosova e Re’. Kjo, gjithashtu do t’i ndihmojë Këshilltarët e Transaksionit dhe Komitetin Drejtues të Projektit në dizajnimin sa më të saktë dhe të qartë të përmbajtjes së detajuar të pakos tenderuese.

Po ashtu, Komiteti Drejtues i Projektit mbetet plotësisht i angazhuar për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme, siç i kemi planifikuar paraprakisht.

Sinqerisht, ju ftoj të shprehni interesin tuaj për pjesëmarrje në Projektin ‘Kosova e Re’, duke ju siguruar se procesi tenderues do të realizohet plotësisht në mënyrë transparente dhe të drejtë.

Për me tepër, Qeveria e Kosovës është fuqishëm e përkushtuar të jetë partner i vërtetë në këto investime të mëdha dhe të domosdoshme për sistemin energjetik të Kosovës.

Dhe në fund, uroj që bashkë me partnerët tonë strategjik, sa më parë të arrijmë finalizimin e këtij projekti, ku investitori privat dhe Kosova do të bashkojnë sinqerisht mundësitë dhe interesat, dhe më pas do të ndajnë siç duhet kostot dhe përfitimet, ashtu që të dyja palët të realizojnë qëllimet dhe interesat e tyre në kuadër të një partneriteti fitim – fitim, apo win – win, që do të jetë shembull edhe për partneritetet tjera në të ardhmen.  

Suksese dhe ju faleminderit shumë!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.