Propozim-vendimet të cilat janë aktualisht duke u diskutuar do të specifikojnë modalitetet lidhur me madhësinë dhe teknologjinë e blloqeve, kapacitetin e termocentralit, zhvillimin e minierës së re, pjesëmarrjen, kontratat dhe garancitë të cilat duhet specifikuar për implementimin e projektit përmes investitorit privat, i cili pritet të përzgjidhet përmes tenderit, nga lista e ngushtë e katër ofertuesve të para-kualifikuar.
Anëtarëve të komitetit drejtues u janë prezantuar propozim-vendimet dhe rekomandimet për zgjedhjen më të mirë për ndërtimin e “Termocentralit Kosova e Re”. Propozim-vendimet bazohen në studimet e teknike profesionale të përgatitura nga kompanitë prestigjioze, rezultatet e proceseve të konsultimit, si dhe analizave ligjore dhe financiare të përgatitura nga këshilltarët e projektit. Gjatë diskutimeve janë marr parasysh edhe propozimet dhe shqetësimet e shoqërisë Kosovare.
Gjatë këtyre dy takimeve nuk ka pas vendime. Procesi i vendimmarrjes për zgjedhjen më të mirë rreth këtij projekti përfshinë disa hapa. Hapi aktual ka të bëjë me përgatitjen e vendimeve të cilat do të udhëzojnë këshilltarët e projektit në mënyrë që të finalizojnë draft dokumentacionit e tenderit.
Gjatë këtyre dy ditëve është bërë e qartë se termocentrali “Kosova e Re” do të ndërtohet në përputhshmëri të plotë me standardet mjedisore të BE-së si dhe do të udhëzohet nga politikat e Bankës Botërore për të trajtuar çështjet sociale.
Takimet do të vazhdojnë edhe gjatë javës së tjetër kur pritet të finalizohen udhëzimet e Komitetit Drejtues të Projektit drejtuar këshilltarëve të projektit në mënyrë që draft dokumentacioni i tenderit te përgatitet sa më parë.
Takimet e Komitetit drejtohen nga Ministrja e Energjisë dhe Minierave Znj. Justina Shiroka Pula, me pjesëmarrjen e anëtarëve me veto Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë Z. Mahir Yagcilar, Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Z. Ali Hamiti, Kryesuesi i Bordit të Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve Z. Naip Zeka si dhe anëtarë tjerë të Komitetit Drejtues si Ministri i Ekonomisë dhe Financave Z. Ahmet Shala, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Z. Nenad Rasic, Udhëheqësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit Z. Dino Asanaj. Në takime marrin pjesë edhe përfaqësues nga Banka Botërore, USAID, Komisioni Evropian, FMN, KfW, Zyra Civile Ndërkombëtare si dhe ekspert të tjerë.