Prishtinë, 16 mars 2009 – Ministrja e Energjisë dhe Minierave (MEM), Justina Shiroka-Pula e shoqëruar nga ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj dhe drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta kanë përuruar të hënën projektin “Promovimi i energjisë solare” në Konviktin numër V, të Qendrës së Studentëve në Prishtinë.
Duke folur për projektin, ministrja Pula tha se ai do të ofrojë shërbime më të mira për studentët, dhe njëherit mundëson edhe kursim të energjisë elektrike për të shtuar se MEM dëshiron që studentët të kenë një standard më të lartë jetese.
Pula ka bërë të ditur se investimet e tilla MEM-i do t’i vazhdojë edhe në konviktet tjera dhe në qendrat ku janë rinia, sepse siç ka thënë ajo studentët tanë janë shpresa e qeverisë dhe ardhmja e Kosovës. Ndërkohë që ky projekt do të përfshijë edhe institucione tjera publike.
Ajo ka thënë se përfitues të këtij uji të ngrohtë në këtë konvikt do të jenë 700 studentë, që do të thotë që qeveria është e përkushtuar që të përmirësojë kushtet e banimit të jetesës së studentëve.
Ndryshe ministrja Pula ka paralajmëruar se është duke e rishikuar buxhetin së bashku me ministrin Hoxhaj dhe do të shikohet që të investohet edhe në projekte të përbashkëta.
Nga ana e tij, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ka thënë se ky projekt u mundëson studentëve kushte më të mira.
Sipas tij, ky realisht është koncept i ri edhe për qendrën e studentëve edhe për Kosovën, dhe realisht është një sistem i cili ju mundëson studentëve që të kenë shërbime sa më të mira, por në të njëjtën kohë që këto shërbime të mos e ndotin ambientin.
Ai ka thënë se MASHT-i është i interesuar që të ketë mbështetjen e MEM-it edhe për qendra të tjera, ngase Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje maksimale që vërtetë studentët të vendosen në qendër të jetesë sonë akademike.
Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta ka thënë se ky projekt përveç përmirësimit të kushteve të jetës ndikon edhe në kursimin e buxhetit. “Projekti i MEM-it përpos që ndikon në krijimin e shërbimeve më të mira, ndikon drejtpërdrejt edhe në buxhetin e Qendrës së Studentëve, pra e kursejmë buxhetin”, ka thënë Sfishta. Ai tha se shpreson se ky projekt nuk do të jetë i vetëm, por do të vazhdojë edhe në konviktet tjera.
Nga vendosja e paneleve solare në QS do të kursehen 100 megavat energji elektrike në vit, ndërsa vlera e tij arrin mbi 120 mijë euro.
Investimi llogaritet për 15 deri në 20 vite, ndërsa investitori ka ofruar 5 vite garancion.