Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

MEM prezanton projektin e HC të Zhurit në Prizren dhe Sharr

Prishtinë, 12 dhjetor 2008 – Ministria e Energjisë dhe Minierave ka prezantuar sot para Asambleve Komunale të Komunave Prizren dhe Sharr (ish Dragash) Projektin e ndërtimit të Hidrocentralit të Zhurit. Me këtë rast përveç ministres së Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, të pranishëm ishin edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar, zv/ministri i Energjisë dhe Minierave Blerim Rexha dhe menaxheri i Zyrës së Projektit PATEL, Lorik Haxhiu.

Ministrja Pula ka thënë se projekti që po prezantohet është me një rëndësi të veçantë ekonomike dhe strategjike për Qeverinë e Kosovës si dhe për rajonin e Prizrenit dhe Sharrit. Ajo tha se Qeveria e Kosovës është e zotuar për përmirësimin e situatës energjetike në vend, duke i dhënë hapësirë implementimit të projekteve të ndryshme.

“Zhvillimi i energjetikës së Kosovës bazohet në Strategjinë e Energjisë dhe Politikat e Qeverisë së Kosovës për sektorin e energjisë ku një prej prioriteteve është aktivizimi i hidropotencialit ujor me ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, hidrocentralit Zhur dhe hidrocentralit Ujman”, tha ministrja Pula.

Sipas saj, projektet e këtilla do të stabilizojnë furnizimin, stimulojnë zhvillimin e komunave dhe komuniteteve në bazë të obligimeve të dala nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe nga Direktivat e BE, ku deri në vitin 2020 kërkohet që 20% e konsumit të mbulohet nga burimet e ripërtërishme. Ministrja Pula ka potencuar se suksesi ose mossuksesi i këtij projekti në një pjesë varet edhe nga angazhimi i drejtpërdrejtë i komunave të këtij rajoni duke kërkuar një angazhim për mbështetjen e këtij projekti.

Nga ana tij, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Mahir Yagcilar ka thënë se MMPH-ja duke u mbështetur në parimet bazë të mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit racional të ujërave, si sfidë ka ruajtjen e cilësisë së ujërave. “Vendi ynë ka të gjitha mundësitë që të rris kapacitetet e përdorimit të energjisë alternative. Ky kapacitet hidroenergjetik do të ketë efekte pozitive ekonomike dhe shkon në drejtim të përmbushjes së kërkesave të BE-së për rritjen e shfrytëzimit të energjisë së ripërtërishme”, tha Yagcilar për të shtuar se MMPH do të kujdeset që HC i Zhurit të mos ketë ndikim negativ në mjedisin ku do të ndërtohet.

Kryetarët e KK të komunave Prizren dhe Sharr, Ramadan Muja dhe Salim Januzi kanë mirëpritur nismën për realizimin e këtij projekti. Ata kanë thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për këtë rajon. Sipas tyre, kjo iniciativë për ndërtimin HC të Zhurit daton nga vitet e 50-ta, mirëpo për shkaqe të njohura ky projekt fatkeqësisht nuk u realizua deri më tani. Uji që do të përdoret për HC e Zhurit do të përdoret edhe për nevoja tjera të këtij vendbanimi dhe do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi, kanë thënë krerët e këtyre komunave.

Projekti për ndërtimin e HC të Zhurit është prezantuar nga Menaxheri i Zyrës së Projektit PATEL, Lorik Haxhiu, ndërsa ekspertët e jashtëm kanë vënë në dukje ndikimin e tij social, për çka kanë shprehur interes edhe asamblistët e KK të Prizrenit dhe Sharrit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors
This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.