Prishtinë- 16 prill 2009 – Të enjten është bërë inaugurimi i investimeve në rrjetin shpërndarës të Korporatës në Klinë dhe Istog. Në TS 110/10(20) kV Klinë janë instaluar gjithsej 14 kthina 20 kV (kilovoltëshe), ndërsa në Istog janë riparuar 3 TS 10/0.4 kV si bashkëfinancim në mes të KEK-ut dhe KK Istog. Në këtë inaugurim kanë marr pjesë Justina Shiroka- Pula, Ministre e Energjisë dhe Minierave (MEM), Fadil Citaku, kryetar i Bordit të KEK-ut dhe Arben Gjukaj, u.d. i Drejtorit Menaxhues të KEK-ut.
Më këtë rast ministrja Pula së bashku me Çitakun u kanë bërë thirrje konsumatorëve të paguajnë faturat. “ Kjo është një punë e mirë, sepse krijon stabilitet në rrjetin shpërndarës dhe furnizim në mënyrë më kualitative të konsumatorëve me energji elektrike. Këtu është instaluar teknologjia më e avancuar, ndërsa jemi të përkushtuar që stabilimente të tilla të instalohen edhe në pjesët tjera të Kosovës”, tha ministrja e Energjisë dhe Minierave Justina Shiroka Pula.
Ndryshe , kthinat 20 kilovoltëshe të vendosura në Klinë krijojnë mundësinë e komandimit nga distanca. Ndërsa, Arben Gjukaj u.d i Drejtorit Menaxhues ka pohuar se interesimi për investime të tilla është serioz dhe si i tillë do të vazhdoj “Kjo është vetëm një pjesë e investimeve që po realizohen në të gjithë vendin, sepse politika e menaxhmentit të KEK-ut është që të vazhdojë në këtë mënyrë.
Vetëm këtë vit në rrjetin shpërndarës do të investohen rreth 20 milionë euro nga forcat vetanake të Korporatës”, ka pohuar Gjukaj.. Edhe investimet në Istog kanë rritur ndejshëm sigurinë dhe stabilitetin e furnizimit me energji elektrike. Kryetari i kësaj komune, Fadil Ferati ka shprehur gatishmërinë e tij që ta mbështesë KEK-un si në investime të kësaj natyre, ashtu edhe në operimet ditore të Korporatës.