Prishtinë, 9 tetor 2009 – Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula të premten ka vizituar fshatin Gerqinë të Komunës së Gjakovës me ç’rast ka dhuruar kompjuterë për shkollën fillore “7 Shtatori” të këtij fshati.
Në këtë vizitë ministrja Pula ishte e shoqëruar nga bashkëshortja e Kryeministrit, Lumnije Thaçi, deputetja Safete Hadergjonaj dhe kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Gjakovës, Ilir Bytyçi.
Ministrja Pula ka falënderuar mësimdhënësit e kësaj shkollë për pritjen e ngrohtë duke premtuar se ky nuk është donacioni i fundit që do t’u jepet nxënësve të kësaj shkolle ngase fëmijët dhe rinia janë ardhmëria e shtetit të Kosovës.
|Unë ju premtoj se për studentët e kësaj ane nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave do të jepen bursa ngase Hasi ka bërë shumë për lirinë e Kosovës”, tha ajo
Nga ana e tij, drejtori i shkollës, Xhafer Sylmetaj e vlerësoi mbështetjen e ministres Justina Shiroka – Pula dhe falënderoi atë për donacion dhe me këtë rast shprehu brengat e tij për gjendjen në këtë shkollë.
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Safete Hadergjonaj tha se Hasi ka përkrahur lëvizjet kombëtare në momente më të vështira, ndërsa tani ka ardhur koha që institucionet ta mbështesin këtë vendbanim në të gjitha fushat, e veçanërisht në fushën e arsimit duke i dhuruar pajisje të nevojshme në mënyrë që arsimi ta ketë vendin që e meriton.
Ministrja Pula me bashkëpunëtorë më pas vizitoi edhe ambientet e shkollës “7 shtatori” dhe u largua nga Gerqina me shpresë që në të ardhmen edhe ky fshat do të jetë pjesë e ndryshimeve pozitive që po ndodhin në vend.