Prishtinë, 15 janar 2010 – Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula, qëndroi dje në një vizitë njëditore në Shqipëri, me ç’rast në Tiranë u takua me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ndërsa më pas vizitoi Shkodrën, ku u prit nga autoritet lokale dhe vizitoi zonat e përmbytura.
Ministrja ka theksuar se bashkëpunimi në fushën e energjisë është i ngushtë si në nivelin e ministrive përkatëse, po ashtu edhe midis korporatave KEK dhe KESH. Ky bashkëpunim është intensiv dhe bazohet në interesin që kanë dy korporatat në operimin komplementar të dy sistemeve tona. Shkëmbimet e energjisë elektrike që bëhen midis tyre optimizojnë operimin e tyre.
Ajo tha se në ditët kritike të prurjeve ekstreme në hidrocentralet e kaskadës së Drinit, KEK ka marrë sasi maksimale në formë deponimi, për t’i kthyer kur ka mundësi dhe teprica të veta. Në këtë takim është diskutuar edhe për projektin e Hidrocentralit të Zhurit, për të cilin Ministri Prifti ka treguar interesim dhe mbështetje të duhur.
Duke u ndalë te gjendja e fundit, Ministrja Pula tha se Kosova do ta ndihmojë me të gjitha kapacitetet e saja Shqipërinë për t’i sanuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, ndërsa ka konfirmuar se KEK-u do të vazhdojë të ndihmojë sipas nevojës KESH-in, duke marrë tepricat e energjisë nga kapacitet hidrike të Shqipërisë.
Nga ana e tij, ministri Dritan Prifti ka vlerësuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës në këto momente të vështira me të cilat po përballet Shqipëria dhe ka falënderuar ministren Pula për kontributin e saj, ndërsa ka çmuar gatishmërinë e Korporatës Energjetike të Kosovës për të dhënë maksimumin e saj në këto kohë.
Ministri Prifti tha se resori që drejton është i interesuar që të çojë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e energjisë dhe ka premtuar se pala shqiptare do të bëjë të gjitha veprimet e duhura që të konkretizohen të gjitha iniciativat e bashkëpunimit.
Më pas Ministrja Pula ka qëndruar në Shkodër, ku në Shtabin e Emergjencave është pritur nga Zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, Prefekti i Shkodrës, Maxhit Çungu, si dhe nga Kryetari i Qarkut të Shkodrës, Xhevahir Kolombo.
Bashkëbiseduesit kanë njoftuar ministren Pula me gjendjen në terren dhe masat që janë marrë për ta menaxhuar situatën, ndërsa kanë vlerësuar angazhimin e Kosovës në ofrimin e ndihmës në disa segmente.
Ministrja Pula, e shoqëruar nga zv/ministri Alibali dhe drejtuesit lokalë të Shkodrës, ka vizituar banorët e komunës së Bushatit, e cila vazhdon të mbetet e përmbytur, si dhe ka takuar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës, të cilët po i ndihmojnë banorët e këtij vendbanimi.