Berlin- 27 gusht 2009- Në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon këto ditë në Republikën Federale të Gjermanisë, Ministrja e Energjisë dhe Minierave, znj. Justina Shiroka-Pula, më 25 gusht 2009 është takuar me Sekretarin Shtetëror të Ministrisë së Ekonomisë dhe Teknologjisë, ministri e cila mbulon sektorin energjetik në Gjermani.
Gjatë takimit, Ministrja Pula vlerësoi lart mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë Kosovës në sektorin energjetik, si dhe u diskutuan çështje lidhur me nevojën dhe mundësitë për shtimin e bashkëpunimin të mirë që ekziston midis dy shteteve.
Ministria e Ekonomisë dhe Teknologjisë ka qenë nikoqire e vizitës së delegacionit të Kosovës dhe është përkujdesur për organizimin e takimeve me institucione dhe firma të ndryshme, të cilat kanë treguar interes për takimin me delegacionin e MEM-it. Takimet i kanë ndjekur me një kujdes të veçantë mediat e shkruara dhe elektronike.
Po ne datën 25 gusht 2009, Ministrja Pula u takua me përfaqësues të Bankës KfW e cila kishte organizuar enkas për delegacionin e MEM-it një Forum të politikave energjetike, në të cilin ishin të pranishëm ekspertë nga fusha e energjetikës, ku posaçërisht u diskutuan politikat e sigurimin të furnizimit, efiqiencës dhe burimeve të ripërtrishme, ngrohjes në largësi me cikël të kombinuar etj.
Delegacioni i Kosovës në këtë forum prezantoj politikat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sektorin energjetik por edhe minerar, duke theksuar se këta dy sektorë kanë rëndësi strategjike për zhvillimin e ardhshëm të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit tonë. Në këtë takim Ministrja u fokusua në synimet e Qeverisë për të rritur sigurinë e furnizimit me energji dhe përmirësuar cilësinë e tij. Për këtë, shtoi ajo, Kosova po kryen reforma që përfshijnë plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator dhe shthurjen e korporatës energjetike ashtu që të mundësohet tërheqja e investimeve private në zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe përmirësimin e sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë.
Ndërsa, me 26 gusht, delegacioni i kryesuar nga Ministrja Pula u takua me Komitetin e Lindjes të Ekonomisë Gjermane, dhe Shoqatën Ekonomike Gjermane-Kosovare e themeluar kohë më parë, me qellim të promovimit të investimeve të kompanive gjermane në Kosovë. Në këto takime u shfaq interesim i veçante për mundësitë e përparimit të bashkëpunimit në fushat me interes të dy vendeve.
Gjithashtu, me 27 gusht Ministrja vizitoi dy termocentrale, njëra me cikël të kombinuar dhe tjetra në Juglindje të Gjermanisë me fuqi 2x 800 MË, të dyja pronë e firmës Vattenfall. Në Berlin delegacioni vizitoi edhe fabrikën e turbinave të firmën Siemens. Kujdes të veçantë delegacioni i kushtoj projekteve te dekontaminimit, rekultivimit dhe rehabilitimit të lokacioneve të ndotura industriale dhe të minierave të shterura të linjitit.
Gjatë gjithë vizitës së delegacionit të MEM-it, pjesëmarrja dhe ndihma e Ambasadës së Republikës së Kosovës, ishte shumë e rëndësishme dhe lehtësoj kontaktet me kompanitë dhe shoqatat afariste gjermane.
Gjate rrugës për kthim në Kosovë, Ministrja Pula, me datën 28 gusht 2009, do të ndalojë në Graz të Austrisë ku është e ftuar për të prezantuar Kosovën dhe mundësitë për investime në sektorin energjetik, me fokus të veçantë në zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.