Prishtinë, 12 maj 2009 – Sot, në ambientet e Hotelit Grand, Ministria e Energjisë dhe Minierave filloj procesin formal të konsultimit rreth Draft Strategjisë Minerare të Republikës së Kosovës.
Në takim morën pjesë ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, dhe përfaqësues të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, ekspertë të xehetarisë dhe drejtues dhe zyrtarë të Departamentit të Minierave të MEM-it.
MEM prezantoi përmbajtjen e kësaj strategjie, e cila synon avancimin e reformave dhe ristrukturimin e sektorit minerar në Kosovë, ashtu që ai të bëhet sa më shpejt gati për të tërhequr investime private, kryesisht në formën e partneriteteve publike private.
Draft strategjia minerare është përgatitur në përputhje me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sa i takon sektorit minerar.
Strategjia minerare hartohet për herë të parë në Kosovë. Ajo vlerëson resurset minerare që Kosova i posedon, parashtron politikat dhe programet kryesore që do të duhet të zbatohen për të shfrytëzuar në mënyrë sa më racionale burimet tona minerare, në mbështetje të zhvillimit të ardhshëm të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik dhe social.
Ministra Pula, në fjalën e saj hyrëse kërkoi që diskutimet rreth draft strategjisë minerare të bazohen në Programin e Qeverisë dhe të njohin nevojën e padiskutueshme për investime private në sektor, gjë që nuk mund të arrihet pa ristrukturim të thellë. Ministrja theksoi se MEM ka paraqitur në Qeveri Draft ligjin për miniera dhe minerale, i cili është në përputhje me qasjen Evropiane dhe në koordinim të plotë edhe me strategjinë minerare.
Ministri Shala, nga ana e tij vlerësoi punën shumë të mirë të institucioneve tona në hartimin e këtij dokumenti shumë të rëndësishëm për orientimin dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Në takim pat diskutime të shumta dhe të vlefshme nga përfaqësuesit e një numri institucionesh pjesëmarrëse.