Prishtinë, 11 qershor 2009 – Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike Energjia nga Linjiti ka mbajtur takimin konsultativ të radhës. Në këtë takim, përveç ministres së Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula ishte i pranishëm edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Bankës Botërore dhe USAID-it.
Me këtë rast kryeministri Thaçi ka vlerësuar projektin e termocentralit “Kosova e Re” të rëndësisë së veçantë për zhvillimin e vendit dhe ka kërkuar nga akterët e përfshirë në të që të përshpejtohet fillimi i realizmit të tij.
Thaçi tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar shumë që ta qojë përpara këtë projekt dhe se vonesat e mëtutjeshme janë të pa tolerueshme.
Nga ana saj, Ministrja Pula ka falënderuar kryeministrin për mbështetjen që i jep këtij projekti duke iu bashkuar thirrjes së tij për përshpejtimin e tij. Ministrja ka njoftuar të pranishmit me stadin e zhvillimit të projektit dhe nevojën e menjëhershme për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë për shkak se vendi përballet me probleme si pasojë e amortizimit të aseteve aktuale energjetike.
Edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, USAID-it, Komisionit Evropian kanë mbështetur qëndrimin e Qeverisë që projekti “Kosova e Re” nuk duhet të zvarritet për shkak të nevojave në rritje për energji në vend.